Sport

Tenistet ukrainase kishin mendjen te lufta pas fitoreve të para në Wimbeldon

Është e vështirë të mbash mendjen të përqendruar te tenisi kur shtëpia e familjes sate në Ukrainë bombardohet. Anhelina Kalinina dhe Lesia Tsurenko bënë pikërisht këtë në Wimbledon të hënën, duke fituar ndeshjet e tyre hapëse në turneun Grand Slam, për të siguruar një përballje mes vete në kuadër të rundit të dytë, që zhvillohet të mërkurën.

"Faleminderit Zotit që janë gjallë, ata janë të sigurt," tha Kalinina për familjarët e saj, duke shpjeguar se shtëpia e tyre u shkatërrua nga një sulm rus gjatë luftës. “Por ata jetojnë si shumë ukrainas të tjerë kështu që kurrë nuk e dini se çfarë do të ndodhë nesër, sepse çdo gjë duket ndonjëherë e qetë. Por, dje ishin dy raketa në Kiev, në qendër”.

Kalinina, e 29-a në ranglistën botërore , kaloi në rundin e dytë duke mundur Anna Bondarin me 2:1 (4:6, 6:2, 6:4) në sete. Ndërsa Tsurenko mposhti britaniken Jodie Burrage 2:0 (6:2, 6:3) në sete.

“Nuk ndihem mirë”, tha Tsurenko, e cila është e shqetësuar sepse shtëpia e saj në kryeqytet është afër një vendi që është sulmuar. “Kështu që çdo herë është sikur zona ime e qytetit ku jetoj, bombardohet. Mendoj se kur filloi lufta, fillova ta ndiej këtë tension brenda vetes. Edhe nëse punoj çdo ditë me psikologun dhe unë mundohem, nuk mund të shmang këto emocione. Është e pamundur”.

Dy lojtaret nuk do të duhet të përballen me kundërshtare nga Rusia ose Bjellorusia, sepse tenistët nga këto vende janë ndaluar të marrin pjesë në Wimbledon këtë vit. Si rezultat i këtij vendimi, lojtarëve nuk do t'u jepen pikë në renditje gjatë turneut.

“Unë nuk isha vërtet e kënaqur me atë vendim”, tha Tsurenko, megjithëse shtoi se ishte dakord me ndalimin e tenistëve rusë e bjellorusë. “Mendoj se sanksionet ndaj sportistëve nga Rusia e Bjellorusia janë bërë me një arsye. Mendoj se ato vendime janë të drejta dhe sanksionet janë të drejta”.

Kalinina tha se nuk ishte e drejtë të merret në konsideratë çështja e renditjes së pikëve kur flitet për një luftë.

“Ne nuk mund të krahasojmë pikët e WTA-së, nuk mund ta krahasojmë këtë ndalim të këtyre lojtarëve me atë që po ndodh aktualisht në Ukrainë”, tha Kalinina. “Ne nuk mund ta krahasojmë këtë se çfarë mungon tani dhe sa miliona njerëz janë vrarë dhe sa refugjatë janë larguar nga vendi për të mbijetuar. Familjet kanë mbetur jashtë dhe njerëzit janë pa para e në gjendje të vështirë. Ata nuk kanë asgjë. Ata janë të pastrehë”.

Në “French Open”, Tsurenko u ankua për faktin se shumë nga lojtarët e tjerë të këtij Grand Slami nuk po i flisnin në mbështetje të Ukrainës. Por ajo dhe Kalinina kanë marrë mjaft mbështetje nga turma.

Njëra nga këto dyja do të arrijë të kualifikohet në raundin e tretë të Wimbledonit dhe ato po planifikojnë të flasin se çfarë mund të bëjnë në meçin e tyre për t'i sjellë më shumë njohje Ukrainës .

“Do ta shohim. Ne do të diskutojmë dhe pastaj do të vendosim”, ka pranuar Kalinina.