Sport

Mankenda debutoi me gol te Liepaja, kundërshtari evropian i Gjilanit

Gauthier Mankenda - Liepaja

U largua pas gjashtë vjetësh nga futbolli i Kosovës, por Gauthier Mankenda debutimin evropian tek ekipi i ri do ta bëjë në Kosovë.

Sulmuesi i krahut, Mankenda, karrierën po e vazhdon në Letoni. Ai i është bashkuar Liepajas, ekip me të cilin ka firmosur kontratë njëvjeçare. Liepaja ndeshjen e parë në garat evropiane për edicionin e ri do ta luajë kundër skuadrës së Gjilanit. Dueli i parë mes këtyre dy skuadrave do të luhet më 7 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, kurse ai i kthimit pas një jave në Letoni.

Ndërkohë Mankenda që të hënën debutoi në kampionatin e Letonisë. Madje debutoi me gol. Ai luajti prej minutës së 77-të te Liepaja që fitoi 2:0 ndaj Super Nova, në kuadër të kampionatit letonez. Golin e shënoi në minutën e 88-të. Ishte supergol, duke dëshmuar se Mankenda do të jetë rrezik i madh për Gjilanin në Ligën e Konferencës.

Mankenda e njeh shumë mirë stadiumin “Fadil Vokrri” pasi për pesë edicione ishte pjesë e Prishtinës.

“Mendoj se do të jem gati për të luajtur ndaj Gjilanit. Do të jem gati për paraqitje në stadiumin e Prishtinës”, ka thënë Mankenda.

Mankenda ka qenë pjesë e Prishtinës prej janarit të vitit 2016, kur iu pati bashkuar nga Vushtrria, ekip për të cilin luajti gjysmë edicioni. Në gusht të vitit të shkuar Prishtina kishte njoftuar për largimin e Mankendas, i cili u kthye pas vetëm një muaji. Ai kishte tentuar të transferohej në Turqi, por nuk kishte arritur ta bënte një gjë të tillë. Kongolezi Mankenda për një periudhë ka qenë edhe kapiten i Prishtinës. Pas largimit nga futbolli kosovar, Mankenda ka thënë se është i gatshëm për ta vazhduar karrierën në një kampionat tjetër për të cilin ende nuk ka një vlerësim të saktë.

Ai transferimin në Letoni megjithatë e vlerëson hap të madh në karrierë. Thotë se karriera në Kosovë ia ka mundësuar një lëvizje të tillë. Mankenda, që është nga Republika Demokratike e Kongos, thotë se nuk është pishman për vitet e kaluara në Kosovë. Thotë se u zhvillua si lojtar dhe beson se te Liepaja do të ketë paraqitje të mira dhe suksese.

“Përfundimisht jam i gatshëm për këtë hap i cili është i radhës në karrierën time. Pas periudhës së gjatë në futbollin e Kosovës, tani do të luaj në Letoni në një ekip të respektuar në këtë shtet. Jam i lumtur për këtë lëvizje pasi kur kam ardhur në Kosovë e kam pasur synim që të luaj diku tjetër në Evropë”, ka thënë 24-vjeçari. “Gjithmonë e kam pasur synim ta provoj veten edhe jashtë Kosovës dhe tani e kam mundësinë. Kështu që shpresoj të kem paraqitje të mira me fanellën e Liepajas”.

Mankenda te Liepaja është transferuar si futbollist i lirë, pasi i ka skaduar kontrata me Prishtinën. Në edicionin e fundit shënoi katër gola dhe asistoi tri herë në 21 paraqitje në Superligë.

“Ishte menaxheri im që ma propozoi kalimin te kjo skuadër, e cila kishte pëlqyer paraqitjet e mia sezonin e fundit. Kështu që firmosa për një vit dhe nëse gjërat shkojnë mirë, atëherë mund të vazhdoj të jem edhe më gjatë pjesë e Liepajas”, shtoi Mankenda. “Jam gati për këtë aventurë të re dhe shpresoj ta ndihmoj ekipin në arritjen e synimeve. Po ashtu, dëshira është që t’i kalojmë disa raunde në kualifikimet e Ligës së Konferencës”.