7 perditesime
23:52

Munishi: Pse mos të luajmë në fazën grupore të Ligës së Kampionëve

Ismet Munishi ka synime të mëdha me Prishtinën. Ai preferon të qëndroi gjatë te Prishtina. Munishi thotë se edhe shokët po e respektojnë më shumë prej se është bërë trajner i Prishtinës. Ai ka pranuar se sikur Prishtina të ishte në situatë më të mirë, ndoshta nuk do të bëhej trajner i skuadrës kryeqytetase.

“Në Prishtinë do të preferoja të qëndroj më gjatë. Të gjitha rrethanat, ambienti janë për këtë. I kam parë shokët kur po më përshëndesin po më respektojnë më shumë që jam bërë trajner i Prishtinës. A do të jetë apo jo, nuk mund të parashikojmë asgjë. Por që do të kemi sukses të jashtëzakonshëm, do të kemi. Nuk na kanë munguar ofertat as jashtë Kosovës. Kemi pasur takime. Por kam pasur kontrata me klubet dhe kur jam në një klub nuk preferoi të lëviz. Është një lloj tradhtie”, ka theksuar Munishi.

Ai ka përmendur fazën grupore të Championsit si një synim më të largët.

“Do ta sjell një energji që nuk ka qenë më herët te klubi i Prishtinës. Një punë, një angazhim, një vullnet. Unë jam mësuar me presion. E meriton Prishtina të ketë sukses sepse është lokomotiva e ligës së Kosovës. Më ka pëlqyer jashtëzakonisht përkrahja e tifozëve Plisave, e 90 për qind e qytetit të Prishtinës. Tani nuk më mbetet gjë tjetër vetëm që ta shpërblejë këtë përkrahje. Besoj fuqishëm se do të bëjmë ekip fantastik. Kapaciteti është shumë i madh. Unë do të sfidohem si trajner, por nuk mund të them që nuk i kam mundësitë e mëdha. Pse mos të luajmë në grupe të Ligës së Kampionëve? Me përmirësimin e kushteve, me organizim, me ndërrim total të mentalitetit mund të bëjmë gjëra të mëdha”, ka thënë Munishi ndër të tjera për Sportin Total në KTV.

23:41

Munishit nuk i pëlqeu festa e Ballkanit gjatë shortit

Ismet Munishit nuk i ka pëlqyer fare festa e Ballkanit pas tërheqjes së shortit në raundin e parë kualifikues të Championsit.

Ballkani luan me kampionin e Lituanisë, Zhalgiris Vilnius. Te klubi suharekas kishin festuar kur kishin mësuar emrin e kundërshtarit.

Sipas Munishit kjo festë te Ballkani ishte plotësisht e gabuar. Ai thotë se te kampioni i Kosovës duhet të kenë kujdes ndaj lojtarëve cilësorë që i ka Zhalgirisi.

23:33

Munishi është i sigurt: Ndeshjet e Prishtinës do të jenë festë

Ismet Munishi është shumë optimist për të ardhmen e Prishtinës. Ai ka thënë se synimi kryesor është kthimi i shikuesve në stadium. Ka treguar se të gjitha ndeshjet e Prishtinës do të luhen në mbrëmje në “Fadil Vokrri”.

“Do të bëjmë skuadër që luan futboll të mirë. Prishtina do të luaj ekskluzivisht në mbrëmje, me reflektorë. Pres përkrahje maksimale prej qytetit të Prishtinës, prej Plisave. Rrethet na kanë lënë pak prapa dhe duhet të tregoj forcën e vet kryeqyteti”, ka thënë Munishi për Sportin Total në KTV. Synimet e Prishtinës janë të mëdha, sipas trajnerit të ri të skuadrës.

“Minimalisht do të luajmë në Evropë. Me atë që kemi bërë deri tash, minimalisht do të luajmë në Evropë. Do të krijojmë skuadër kompakte. Skuadrat tjera kanë numër të madh të lojtarëve dhe kjo është problem. Nuk mund gjashtë lojtarë të luajnë në një pozicion. Ne do t’i presim këta futbollistë krahëhapur që të na bashkëngjiten në projektin tonë. Ne minimalisht do të luajmë në Evropë”, ka theksuar Munishi.

“Për ne me rëndësi tani është riorganizimi në të gjitha aspektet. Që të bëhet festë, që të vijnë njerëzit. Të luhen ndeshjet në termin kur njerëzit mund të vijnë në stadium. Për çdo ndeshje do t’i marr 50 bileta prej klubit. Ndoshta edhe 100, ndoshta edhe 200 dhe do t’i dhuroj që të vijnë të shijojnë ndeshjet në stadium. Disa ende mendojnë që ka dhunë. Por askush nuk po rrahet. Liga e Kosovës kurrë nuk ka qenë më e fortë”, ka vazhduar Munishi me optimizëm të madh.

“Do të ketë festë, marketing të madh. Do të ketë diçka që nuk ka pasur në futboll të Kosovës. Prishtina duhet të jetë nismëtare. Do të ketë shumë risi. Shumë marketing. Shumë interesim, shumë rivalitet. Edhe rivaliteti e përcakton se sa njerëz vijnë në stadium. Shpresojmë që kampionati të jetë i rregullt deri në fund që ne mos të largojmë tifozin. Jo si kampionatin e kaluar kur e lëshuam bajrakun në fund”.

23:20

Munishi tregon si vendosi për pak sekonda ta transferojë një futbollist

Ismet Munishit i janë dashur pak sekonda për të vendosur që te Prishtina ta transferojë mbrojtësin e Strugës Besir Ramadani.

“Në sekondën e dytë e kam ditur se dua ta transferojë Ramadanin e Strugës, që ka luajtur për U21 të Shqipërisë. Parametrat e tij më kanë bindur”, tha Munishi në Sportin Total në KTV të dielën.

23:14

Munishi: Te Prishtina kishte paga stratosferike

Ismet Munishi ka treguar se Prishtina është detyruar të largojë lojtarë për shkak të pagave shumë të larta. Madje tha se pagat e disave ishin stratosferike.

Në Sportin Total në KTV, Munishi theksoi të dielën se pagat e disave ishin shumë të larta dhe të papërballueshme.

Ai ka treguar se Prishtina ka bërë dhjetë transferime deri më tani. Ai është i kënaqur me transferimet e bëra.

“Sa herë që bëj merkaton vet, bëj superekip”, ka thënë Munishi.

Ka treguar se Prishtina ka angazhuar Santosin e Ulpianës, për të cilin thotë se ka mbipeshë por që do të rregullohet.

23:12

Munishi po kryen detyrë të dyfishtë te Prishtina

Ismet Munishi ka treguar se po e kryen edhe detyrën e drejtorit sportiv te Prishtina. Ai ka pranuar se ka pasur largime nga skuadra që nuk i ka dëshiruar. Tregon se në kohën kur klubi po riorganizohej, vet ka folur edhe me lojtarë.

“Do ta luaj edhe rolin e drejtorit sportiv dhe të trajnerit derisa klubi të dal në binarë. Më ka dhimbsur shumë largimi i Lorik Boshnjakut. Kam pasur dëshirë ta mbaj. Kam insistuar që ta mbaj Gledi Micin dhe i kam treguar që do të jetë kapiten i skuadrës. Më është dashur një lider i tillë. Insistimi ka qenë edhe për Endrit Krasniqin”, ka theksuar Munishi.

23:03

Munishi: Prishtina nuk mund të shkojë më poshtë se që ishte

Trajneri Ismet Munishi ka theksuar se nuk ka hezituar që të marr drejtimin e Prishtinës. Ai pret ditë më të mira për klubin e kaltër.

“Prishtina nuk mund të shkoi më poshtë se që ishte edicionin e kaluar. Me punë do të ecim përpara. Në futboll është me rëndësi që problemet të zgjidhen një nga një dhe që mos të lejohet të grumbullohen. E kanë bërë të madhe, por për mua ka qenë shumë normale që të marr drejtimin e Prishtinës”, ka theksuar Munishi në Sportin Total.

22:59

Munishi: Është kënaqësi që jam trajner i Prishtinës

Ismet Munishi ndihet krenar që ka marrë drejtimin e Prishtinës. Ai në Sportin Total në KTV ka thënë të dielën se për të është krenar që në emision ka ardhur si trajner i Prishtinës. Ai e pranon se Prishtina nuk ka kaluar edicion të mirë.

“Situata në klub është përmirësuar dhe do të përmirësohet. Nuk do të ketë probleme të kësaj natyre. Prishtinës i është bërë antireklamë e madhe. Kanë kontribuar në këtë gjithë akterët, edhe zyrtarët. Gjërat duhet të zgjidhen brenda familjes e jo çdo gjë të dal në media. Klubet mund të kenë probleme, por duhet të zgjidhen brenda familjes”, ka theksuar Munishi ndër të tjera.

Sipas tij pagat e lojtarëve janë të sigurta e po ashtu edhe kontratat e tyre.

“Prishtina është klub që do të përballet gjithnjë me pasojat që i krijon Kryesia. Ka filluar shlyerja e borxheve me shumë futbollistë. Te Prishtina problemi kryesor ka qenë tejkalimi enorm i buxhetit”.