Sport

Ylli do të reagojë pasi mbeti pa dy lojtarë të rëndësishëm, synon Edon Maxhunin

Erjon Kastrati e Mikaile Tmushiq ishin prej lojtarëve kryesorë të Golden Eagle Yllit, që e mbrojti titullin e kampionit të Kosovës në basketboll. Edhe në serinë finale të plejofit ndaj Trepçës, Kastrati e Tmushiq u shquan me paraqitje të mira. Dhe Trepça reagoi menjëherë duke transferuar të dy lojtarët vendorë të Yllit të Suharekës.

Kastrati e Tmushiq tashmë janë pjesë e ekipit mitrovicas, ndërsa Yllin e pret mision i vështirë për t’i zëvendësuar ata. Te Ylli kanë pranuar se e kishin të pamundur të bënin oferta si të Trepçës për dy reprezentuesit e Kosovës. Në klubin suharekas tashmë kanë nisur punën për të mbushur boshllëkun e krijuar pas largimit të Kastratit e Tmushiqit. Dhe kjo nuk është e lehtë, sidomos për faktin se tregu vendor nuk ofron shumë zgjidhje sa u takon lojtarëve.

“Largimi i Erjon Kastratit dhe Mikaele Tmushiqit sigurisht që ka lënë një boshllëk në skuadër, pasi dihen cilësitë e të dy basketbollistëve. Por sigurisht që oferta e skuadrës së Trepçës ka qenë më joshëse dhe nuk kemi arritur t’i bindim që të mbesin tek Ylli. Ne jemi duke punuar intensivisht që të krijojmë një skuadër konkurruese dhe të fortë për edicionin e ri”, ka theksuar Egzon Fetiu, drejtor sportiv i Golden Eagle Yllit.

Ai të dielën për KOHËN ka treguar se po negociojnë me Edon Maxhunin, njërin prej basketbollistëve më të mirë shqiptarë. Fundori Maxhuni luan për Finlandën, ndërsa karrierë ka bërë në disa vende evropiane. Së fundi luajti për skuadrën Den Bosch në Holandë, me të cilën fitoi titullin e kampionit.

“Kemi nisur bisedimet me Edon Maxhunin dhe me menaxherin e tij dhe sipas asaj që kemi folur deri më tani jemi në rrugë të mirë që të arrijmë marrëveshje. Jemi duke pritur deri në përfundimin e ndeshjeve kualifikuese të Edonit me Përfaqësuesen e Finlandës dhe më pas do të shohim se çfarë do të ndodhë. Por mund të them se jemi në negociatat të avancuara me menaxherin e lojtarit dhe parimisht thuajse jemi pajtuar në shumë gjëra”, ka treguar Fetiu me optimizëm të madh.

Dy amerikanë të natyralizuar nga Kosova, po ashtu, janë synim i Yllit. Bëhet fjalë për lojtarë të dëshmuar në nivele serioze evropiane.

“Gjithashtu jemi duke hulumtuar tregun dhe sigurisht që do të tentojmë të sjellim lojtarë të cilët janë të natyralizuar dhe mund t’i përdorim sikurse vendorë. Jemi në bisedime me qendrën Shawn Jones dhe fundorin Scott Bamforth të cilët mund t’i përdorim si basketbollistë vendorë pasi kanë përfaqësuar Kosovën dhe kanë pasaportë të Kosovës. Trajneri fillimisht ka kërkuar që të plotësojmë “rosterin” e lojtarëve vendorë dhe më pas të shohim mundësitë për lojtarët e huaj”, ka treguar tutje Fetiu.

Adis Beçiragiq, që drejtoi Yllin drejt dy titujve, do të mbetet në krye të skuadrës edhe për edicionin e ardhshëm. Beçiragiq ka marrë edhe drejtimin e Bosnjë-Hercegovinës, por do të mbetet edhe te Ylli. Skuadra suharekase ende nuk ka zyrtarizuar ndonjë përforcim për kampionatin e ardhshëm. Ndërkohë është konfirmuar pjesëmarrja e Yllit në Ligën e Kampionëve.

“Jam i bindur që do të krijojmë një ekip të fortë dhe pretendues për trofe edhe për edicionin e ri. Tregu është i gjerë dhe jemi duke shikuar edhe basketbollistët të cilët kanë luajtur në Superligë në kampionatin e shkuar. Jemi duke punuar intensivisht dhe po shpresojmë se do të jemi konkurrent i denjë për trofe edhe për një edicion tjetër”, ka theksuar drejtori sportiv i klubit suharekas.