Futbollistja Kosovare Asllani u largua nga Real Madridi pas tre vjetësh dhe ka dhënë kritika të ashpra drejt këtij klubi spanjoll të enjten. 32-vjeçarja ka thënë për mediumin suedez “Fotbollskanalen” se lojtaret në atë skuadër janë detyruar të luajnë, pavarësisht lëndimeve që i kishin.
E Asllani gjatë kohës së saj te Real Madridi është përballur me lëndime.
“Stafi mjekësor ka qenë shumë i mirë, por janë udhëhequr nga njerëz të gabuar. Lojtaret trajtohen si produkt dhe jo si njerëz që dëshirojnë të kenë karrierë të gjatë”, ka thënë Asllani.
Asllani, që me prejardhje është nga Mitrovica por përfaqëson Suedinë, ka nënvizuar se dallimi mes Përfaqësueses së Suedisë dhe klubit të Real Madridit është shumë i madh.
“Kur vjen te Përfaqësuesja e Suedisë është krejtësisht e kundërta. Njerëzit të pyesin nëse ndihesh mirë apo ke nevojë për pushim. Ka shumë dallim. Ky është profesionalizëm”, theksoi ajo.
Asllani ishte transferimi i parë ndërkombëtar te Real Madridit për ekipin e femrave dhe një nga yjet e ekipit. Megjithatë, në sezonin e fundit ajo ka munguar me lëndime dhe sipas saj nuk është rastësi.
“Unë kam pasur një karrierë ku nuk kam pasur aq shumë dëmtime, por nuk ka rastësi që jam lënduar këtë vit, por ka një sasi të pabesueshme pas atij që e ka bërë. Ka qenë zhgënjyese, sigurisht, që kur ke kaq shumë përvojë dhe ndien trupin tënd, je vazhdimisht i shtyrë derisa të dëmtohesh”.
Mbi të gjitha, Asllani shkaku i lëndimit nuk arriti të luante në ndeshjen ndaj Barcelonës, e cila u luajt në muajin mars. 32-vjeçarja e cilëson ambientin në Real Madrid si të rrezikshëm dhe të pashëndetshëm për të qenë. Për këtë arsye Asllani vendosi edhe të largohet nga klubi. Asllani thotë se ka më shumë si ajo që janë nën presion për të luajtur pavarësisht lëndimeve te Real Madridi dhe nuk mendon se situata është unike për klubin spanjoll.
“Nuk mendoj se Real Madridi është i vetmi klub ku trajnerët drejtojnë ekipin mjekësor, mendoj se është një mjedis që krijohet, sepse thjesht do rezultate dhe nuk mendon për lojtarët”, shtoi ajo. “Në thelb, kjo është arsyeja. Nëse unë kisha tendosje muskulore, si dikur, dhe ekipi mjekësor thoshte se nuk mund të luaja, drejtuesit insistonin se mund të luaja. Dhe, këto gjëra nuk janë rastësi”, tha ajo.
Megjithatë, Asllani nuk është aspak pishman që iu bashkua Real Madridit. Para se të luante për Real Madridin, Asllani ka bërë karrierë edhe te Linkopingsi, Manchester City, Paris Saint-Germaini, Krisitianstadsi e Chicago Red Fire.
“Ndryshimi i klubit ndihet si hapi i duhur për mua dhe një domosdoshmëri nëse dua të kem një karrierë të gjatë”, insistoi Asllani. “Nuk pendohem për vendimet e mia. Ndjeva se ishte hapi i duhur”.
Ajo ende nuk ka vendosur për të ardhmen, por gjasat janë të mëdha që karrierën ta vazhdojë në Itali, te skuadra e Milanit. Asllani së fundmi është grumbulluar me Përfaqësuesen e Suedisë për t’u përgatitur për Kampionatin Evropian që nis muajin tjetër në Angli. Në Evropian, Suedia bën pjesë në Grupin C, së bashku me Holandën, Zvicrën dhe Portugalinë. Asllani në vitin 2008 ka debutuar te Suedia dhe deri më tani ka shënuar 43 gola në 160 paraqitje.