Sport

Orana synon të shkruajë histori në Oran

Fortesa Orana ishte para një dileme – të marrë apo jo pjesë në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”. Mëdyshjen për pjesëmarrje e kishte pas një rasti në familje. Por, ajo e ka gjetur forcën dhe vendosi ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Mesdhetare. E synimi i saj nuk është vetëm pjesëmarrja në Oran të Algjerisë. Orana synon të shkruajë histori në Oran – të fitojë medalje.

“Nuk kam pasur ditë të mira në këtë muaj, por vendosa të marrë pjesë në ngjarjen që mbahet në Oran, e që ngjason me mbiemrin tim që do të thotë ‘luaneshë’, dëshiroj të shkruaj histori në këtë qytet”, ka thënë Orana të enjten për KOHËN.

Karateistja, 25-vjeçare, së bashku me mundësin Egzon Shala do ta bartin flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse të Lojërat Mesdhetare, që mbahet të shtunën. Ngjarja shumësportëshe përfundon më 6 korrik. Orana shpreson që me medalje të fituar ta ngritë flamurin kosovar – shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Është kënaqësi e madhe dhe nder për mu që do ta barti flamurin. Shpresoj që edhe me medalje ta ngriti flamurin e Kosovës. Vendimin për të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare e mora me t’u caktuar si bartëse e flamurit dhe të arrij të fitoj medalje në qytetin që emri i tij ngjason me mbiemrin tim”, është shprehur ajo.

Orana që prej vitit 2015 merr pjesë në ngjarje të ndryshme të karatesë për Kosovën. Ajo nuk ka fituar ndonjë medalje të madhe, ndonëse ka qenë afër për t’u futur në zonën e medaljeve. Orana shpreson që ngjarja që do të mbahet në Oran të jetë e suksesshme për të. Suksesin e ka synim në Algjeri.

“Jam përgatitur për këtë garë dhe shpresoj të kthehem me medalje. Ky është qëllimi im i vetëm”, ka thënë Orana.

Medalje nga Orana, që garon në kategorinë deri 68 kilogramë, dhe nga garuesit e tjerë të karatesë presin edhe nga Federata e Karatesë e Kosovës.

“Kam biseduar me Fortesën dhe ajo më ka thënë që është e gatshme për t’i dëshmuar vlerat e saj”, ka thënë sekretari i Federatës së Karatesë të Kosovës (FKK), Nazmi Gashi.

Ekipi i karatesë për Lojërat Mesdhetare përbëhet edhe nga Elhami Shabani (-75 kg), Melos Gashi (-84 kg), Albulenë Gërvalla (-55 kg) dhe Adelina Rama (-61 kg).

Pas xhudos, karateja ka më së shumti medalje të fituara në ekipin mesdhetar që përbëhet nga 39 sportistë të 13 sporteve të ndryshme. Së fundi, medalje të bronztë në Evropianin për seniorë e fitoi Elhami Shabani. Shabani thotë se në Algjeri udhëton për të fituar medalje. Ekipi i karatesë drejt Algjerisë ka udhëtuar të enjten.

“Në Oran udhëtoj më i qetë dhe patjetër që shkoj me synimin për të fituar medalje. Është një garë shumë e fortë, pasi marrin pjesë sportistët më të mirë të tre kontinenteve. Jam në formë të mirë dhe jam duke e ndier veten mirë. Shpresoj në medalje. Jam i treti i Evropës në kategorinë time dhe prej meje sigurisht që pritjet janë të mëdha, por presionin e medaljes e kam kthyer në qetësi dhe do të shkoj i qetë dhe me synimin e medaljes”, ka thënë Shabani.

Medalje më herët nga ekipi i karatesë ka fituar edhe Albulena Gërvalla e Melos Gashi. Gashi fitoi për U21 të argjendtën në vitin 2019 në Evropian. Po në vitin 2019 fitoi edhe Gërvalla. Ajo për gjeneratën U21 fitoi edhe medalje në vitin 2020. Të dy medaljet ishin të bronzta, ndërsa Gërvalla pret të fitojë medalje edhe si seniore.

“Ndihem e gatshme për sfidën dhe besoj që do ta jap maksimumin për medalje. Jam e kënaqur duke u bazuar në përgatitjet e vazhdueshme dhe formën që e kam tani. Kemi punuar mjaftueshëm me trajnerin dhe kemi bërë më të mirën e mundshme gjatë ushtrimeve që niveli jonë të jetë në ngritje”, ka thënë Gërvalla.

Ajo beson se do të ketë sukses edhe në Lojërat Mesdhetare pas paraqitjes në Botëror dhe Evropian.

“Në kampionatin e fundit Botëror isha e 9-a dhe Kampionatin Evropian për seniorë kisha dy fitore. Në këto përballje kisha kundërshtar me cilësi të larta dhe duke u bazuar në përballje me kundërshtaret, ndihem shumë e sigurt që e ardhmja ime do të jetë e suksesshme. Pas vetes kam një trajner profesionist dhe një ekip prej kampionësh, që po dëshmohen në arenat ndërkombëtare. Besoj se edhe në të ardhmen do të fitoj medalje”, ka thënë Gërvalla.