Ish-boksierit të peshës së rëndë Julius Francis i është pezulluar licenca e sigurimit, pas qarkullimit të një videoje ku shihet duke e nokautuar një person që po bënte telashe, raporton Daily Mail.
Francis, që kishte boksuar në vitin 2000 edhe me legjendën Mike Tyson, po punonte sigurim jashtë “BoxPark” në Wembley, kur e la pa ndjenja një person me një grusht të vetëm më 11 qershor.
Në video shihet një person jashtë arenës duke fyer stafin dhe po ashtu duke iu afruar 57-vjeçarit Francis.
Francis pasi tentoi ta largonte me fjalë personin, më pas i dha një grusht dhe e rrëzoi përtokë.
Shumë në rrjete sociale kanë përshëndetur veprimin, ndërsa Policia e Londrës ka konfirmuar javën e kaluar se nuk do të vazhdojë mëtutje hetimet ndaj ish-boksierit.
Por, Francis ka treguar se ka humbur licencën e sigurimit si pasojë e incidentit.
Ai i tha faqes amerikane “TMZ” se është liruar nga puna.
“Unë po e mbroja veten. Kisha të drejtë të mbroja veten dhe këtë bëra kur ai i ngriti duart”, tha Francis.