Sport

Skuadrat kosovare po bëhen gati në Ohër për garat evropiane

 

Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, ka vazhduar edhe fazën e dytë të përgatitjeve për garat evropiane në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Në fillim të kësaj jave, Ballkani është kthyer në Ohër pasi gjatë vikendit u rikthye në Kosovë për të pushuar pas fazës së parë përgatitore. Ekipi i drejtuar nga trajneri Ilir Daja është i vetmi prej katër skuadrave pjesëmarrëse në garat evropiane nga Kosova për sezonin e ri, që përgatitjet i ka kryer jashtë Kosovës. Në Ohër janë zhvendosur edhe Drita, Gjilani e Llapi, ekipe që gjithashtu do të luajnë në Evropë, por në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Konferencës. Ballkani do të paraqitet në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.

Për dallim prej Ballkanit, skuadrat e tjera të Superligës fazën e parë përgatitore e kanë kryer në Kosovë. Të gjitha skuadrat janë shprehur të kënaqura me kushtet që i ofron Ohri për t’u përgatitur dhe kanë insistuar se do të jenë plotësisht të gatshme për duelet e garave të UEFA-s, të cilat nisin në ditët e para të muajit të ardhshëm. Krahas përgatitjeve, skuadrat kosovare do t’i zhvillojnë edhe disa ndeshje miqësore, ku edhe do të përballen me njëra-tjetrën. Ballkani tashmë ka luajtur me Shkupin, Akademija Pandevin e Llapin, përpara se të luajë edhe kundër skuadrës së Dritës më 26 qershor. Kampioni i Kosovës, po ashtu është forcuar edhe me Leonit Abazin e Qëndrim Zybën, të cilët sezonin e shkuar ishin pjesë e Prishtinës. Në raundin e parë kualifikues të Championsit, Ballkani do të përballet me Zhalgiris Vilniusin e Lituanisë.