Sport

Ramadani e Suma me synime të njëjta në Algjeri – të thyejnë rekorde

Descriptive Text

Muhamet Ramadani dhe Alaudin Suma janë të ndarë në klube. Të ndarë janë edhe në disiplina. Por dy atletët nga Mitrovica ishin të pandashëm para se të martën të niseshin drejt Oranit të Algjerisë, ku prej 25 qershorit deri më 6 korrik do të mbahen Lojërat Mesdhetare. Edhe synimet e njëjta i kanë madje. Ramadani dhe Suma nuk presin të fitojnë medalje në këtë ngjarje, për shkak se pranojnë që konkurrenca është shumë e fortë. Qëllimi tyre është të thyejnë rekordet personale, Ramadani në hedhje të gjyles, kurse Suma në të diskut. Ramadani rekordin personal e ka 18.72 metra, ndërsa Suma 50.33 metra. Me këto synime, Ramadani e Suma morën rrugën drejt Algjerisë për ta përfaqësuar Kosovën.

“Presim të bëjmë një rezultat personal. Do të ishte e shkëlqyer nëse gjuaj gjylen në 19 metra. Sa i përket medaljes është vështirë, pasi konkurrenca është shumë e fortë. Të gjithë konkurrentët janë më të rritur se unë. Nëse kam fat, mund edhe të fitoj medalje, por gjasat nuk janë edhe aq të mëdha”, ka thënë Ramadani para nisjes për në Algjeri.

Grupi i parë i sportistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën ka mbërritur në Oran të mërkurën. Në Oran udhëtuan atletët, boksierët, notarët dhe garuesi i badmintonit. Kosova do të përfaqësohet me gjithsej 39 sportistë në 13 sporte të ndryshme. Për disa garues do të jetë hera e dytë që marrin pjesë në Lojërat Mesdhetare pas atyre që u mbajtën në Tarragona të Spanjës katër vjet më parë. Si për Ramadanin ashtu edhe për Sumën është hera e parë që do të paraqiten në Lojërat Mesdhetare. Ramadani thotë se është i lumtur që ka mundësinë ta përfaqësojë Kosovën në këtë ngjarje të rëndësishme sportive.

“Jam i lumtur që kam mundësinë të marr pjesë në këtë ngjarje të madhe, ku për mua është hera e parë dhe shpresoj të kemi një paraqitje sa më të mirë”, është shprehur Ramadani.

Ramadani në Kupën Evropiane të Atletikës në hedhje të gjyles, që është mbajtur në muajin mars të këtij viti, e fitoi medaljen e argjendtë. Ramadani po bën hapa para drejt ngritjes në nivelin serioz evropian.

“Vitin e kaluar gjylja ka qenë e 6 kilogramëve me U20. Për dy vjetët do të qëndroj U23, pastaj kaloj senior. Tani jam me peshë të gjyles 7.260 kilogramë. Jam adaptuar mjaft mirë me gjyle më të rëndë, ku rekordin personal e kam 18.72, që është edhe rekord i Kosovës, por presim që të kem sukses edhe me gjyle 7.260 kilogramë siç kam pasur me gjyle 6 kilogramë”, është shprehur Ramadani.

Ramadani stërvitet në një hapësirë të improvizuar në oborrin e shtëpisë së tij në qytetin e Mitrovicës. Ai shpreson që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit t’ia ndërtojë një vend të përshtatshëm për zhvillimin e stërvitjeve. Bashkë me Muhametin dhe Alaudinin në Algjeri ka udhëtuar edhe Shaban Ramadani. Shabani është babai dhe trajneri i Muhametit. Edhe ai thotë se medalja nuk është synim për Muhametin.

“Pres ta thyejë rekordin e vet që e ka, do të jetë e vështirë, pasi është hera e parë që merr pjesë, kjo është një përvojë e mirë. Besoj që nuk do të zhgënjejmë, do të kthehemi me rezultat të mirë. Të gjithë pjesëmarrësit janë me përvojë në këtë garë dhe besoj se nuk do të zhgënjejmë prapëseprapë. Do të kthehemi me rezultat të mirë”, ka thënë Shaban Ramadani.

Rekordin të cilin e mban synon ta thyejë edhe Suma. Edhe Suma nuk ka kushte të mira për stërvitje. Stërvitet në një oborr të shkollës në Mitrovicë. Por, ai dhe Ramadani vlerësohen premtues në sportin e atletikës.

“Shpresoj të arrijmë rekord kombëtar dhe të kthehemi me rezultat të mirë. Konkurrenca është e fortë, pasi marrin pjesë garues olimpikë. Me moshën që kemi do të duhet të ballafaqohemi me ata”, ka thënë Suma.

Suma garon me disk 2-kilogramësh. Edhe Suma pranon se konkurrenca është shumë e fortë në Algjeri.

“Do të jem me disk 2 kilogramë. Është viti i parë dhe kemi filluar të adaptohemi me këtë disiplinë të diskut, tash kam dalë në kategorinë U23, por në gara kemi ballafaqim edhe ndaj seniorëve”, ka thënë ai.

Suma shpreson që në Algjeri ta gjuajë diskun më gjatë se 50.33 metra, sa edhe ka rekordin personal.

“Rekordi im është 50.33 dhe synoj të arrij normën evropiane 54 metra për kategori U23 dhe më vonë kam synim edhe të arrij normën e seniorëve”, ka thënë Suma.

Pas atletëve, boksierëve, notarëve dhe badmintonit, drejt qytetit të Oranit kanë udhëtuar edhe mundësit. E mundësi Egzon Shala së bashku me karateisten Fortesa Orana do të jenë bartës të flamurit të Kosovës në ceremoninë hapëse të lojërave mesdhetare “Oran 2022”, që mbahet të shtunën.