Sport

Te Ballkani e shohin të kalueshëm Zhalgirisin e Lituanisë

Descriptive Text

Te kampioni i Kosovës, Ballkani janë ndarë të kënaqur me shortin e tërhequr të martën në Nyon të Zvicrës. Është drejtori sportiv i Ballkanit, Nderim Nexhipi që thotë se, Zhalgirisi i Lituanisë është kundërshtar i kalueshëm.

Por ai ka insistuar se asnjë kundërshtar nuk duhet nënvlerësuar. Skuadra nga Suhareka do të përballet me Zhalgirisin në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

“Është short i volitshëm, por nuk ka vend për nënvlerësim. Do të kemi dy ndeshje të vështira dhe që nga ky moment stafi teknik do të nis punën për të studiuar kundërshtarin. Në futboll, apo në këtë ndeshje, pasi për herë të parë përballemi dhe patjetër që te grupi i kundërshtarëve të mundshëm ishin Malmo dhe Bodo/Glimt, të cilët nuk i donim si kundërshtar.Dy ndeshjet do të tregojnë se cili ekip do të kaloj tutje”, ka thënë Nexhipi për KOHËN.

Nexhipi bashkë me kryetarin, Arsim Kabashi ndodhen në Nyon ku edhe është tërhequr shorti. Ballkani do të jetë vendas në ndeshjen e parë. Duelet e para të këtij raundi kualifikues do të luhen më 5/6 korrik, kurse ato të kthimit pas një jave. Ballkani paraqitet për herë të parë në arenën ndërkombëtare.

“Nuk ka shumë peshë, por gjithësi jam i lumtur që luajmë ndeshjen e parë si vendas. Tashmë nuk ekziston goli si mysafir dhe jam i lumtur që do të luajmë në Kosovë. Është kundërshtar që mund të kalohet, por pa u nënvlerësuar sepse nga gjithë ekipet e Kosovës ne luajmë për herë të parë në garat evropiane”, ka theksuar Nexhipi.

Ballkani ka bërë disa përforcime, ndërsa me disa të tjerë ka vazhduar bashkëpunimin për sezonin e ri. Nexhipi ka paralajmëruar edhe një përforcim në fazën e sulmit.