3 perditesime
19:12

Trepça fiton në Suharekë, ngushton rezultatin në 2:1

Trepça e ka fituar ndeshjen e tretë të serisë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Të dielën pasdite në Suharekë, Trepça e mposhti Golden Eagle Yllin me shifrat 58:55. Ndeshja ishte dramatike dhe shumë interesante. U vendos vetëm në aksionet e fundit.

Palestra ishte e stërmbushur me shikues, ndërsa atmosfera shumë e mirë. Tani rezultati është 2:1 në të mirë të Yllit, të cilit ekip i duhet edhe një fitore për ta siguruar titullin. Ndeshja e katërt luhet mesjavën e ardhshme në Mitrovicë. Ndërkohë ndeshja e pestë eventuale do të luhet sërish në Suharekë.

Ndeshja ishte e hapur deri në fund, ndërsa vendosi një seri 11:0 e Trepçës në çerekun e katërt. Në minutat e fundit, falë përvojës së Drilon Hajrizit dhe Amin Hotit, Trepça ia doli të ruaj epërsinë dhe të fitoi me tri pikë dallim, 58:55.

Hajrizi u shqua te Trepça me 21 pikë, nëntë kërcime e pesë asistime. Qendra Andrew Gordon ndeshjen e mbylli me 12 pikë e plot 16 kërcime. Ndërkohë Hot shtoi dhjetë pikë, pesë kërcime e pesë asistime.

Chris Harris kishte statistikat më të mira te Ylli. Ai ndeshjen e mbylli me tetë pikë e njëmbëdhjetë kërcime. Dajuan Graf shtoi 14 pikë, gjashtë kërcime e tetë asistime. Mikaile Tmushiq i shtoi 13 pikë. Henrik Shirkoi realizoi 11 pikë, por me efikasitet të dobët.

Ylli po synon ta mbroj titullin, ndërsa Trepça që ta fitoi atë pas dhjetë vjetësh.

18:32

Trepça në epërsi pas çerekut të tretë

Trepça është në epërsi pas çerekut të tretë në finalen e plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll.

Pas 30 minutave lojë në Suharekë, Trepça udhëheq ndaj Golden Eagle Yllit me rezultatin 42:40.

Çerekun e tretë mitrovicasit e kanë fituar me shifrat 13:10. Drilon Hajrizi po dallohet te Trepça.

Ai ka shënuar 16 pikë deri më tani.

17:53

Një pikë epërsi për Yllin pas pjesës së parë

Golden Eagle Ylli është në epërsi prej një pike pas pjesës së parë të ndeshjes së tretë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.

Pas 20 minutave lojë, Ylli po udhëheq 30:29 ndaj Trepçës. Ndeshja po luhet në palestrën e stërmbushur me shikues në Suharekë.

Chris Harris po shkëlqen te Ylli me 8 pikë e 8 kërcime. Te Trepça po dallohet Andrew Gordon, po ashtu me 8 pikë e 8 kërcime.

17:21

Palestra e stërmbushur në Suharekë, Ylli në epërsi pas çerekut të parë

Në Suharekë po zhvillohet ndeshja e tretë e finales së plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.

Palestra është e stërmbushur me shikues, ndërsa atmosfera shumë e bukur. Pos në tribuna, qindra shikues janë vendosur edhe në parket. Pas çerekut të parë në epërsi është skuadra vendase, Golden Eagle Ylli.

Ylli po fiton ndaj Trepçës me rezultatin 20:17. Me fitore eventuale, Ylli siguron titullin e kampionit. Aktualisht udhëheq 2:0 në serinë finale.