Mbrojtësi i Përfaqësueses së Maqedonisë Veriore, Visar Musliu, beson se në qershor do të kenë paraqitje të mira në Ligën e Kombeve.
“Pas ndeshjeve të mëdha ndaj Italisë dhe Portugalisë në plejofin e Kupës së Botës, është normale që duam të vazhdojmë me lojëra të mira dhe është e sigurt se dëshira në Ligën e Kombeve është të nisim me fitore. Ardhjet e reja në skuadër na japin besim shtesë dhe e rifreskojnë ekipin. Askush nga ne nuk mendon për pushime kur luajmë për përfaqësuese, edhe nëse këto lojëra vijnë në fund të sezonit”, ka thënë Musliu.
Maqedonia ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve e zhvillon kundër Bullgarisë si mysafir më 2 qershor. Ndeshjen e dytë e ka kundër Gjibraltarit më 5 qershor, ndërsa dy duelet në Shkup i luan më 9 qershor kundër Gjeorgjisë dhe kundër Gjibraltarit më 12 qershor.