Sport

Selmani humb penallti vendimtare në finalen e Kupës

Descriptive Text

Sulmuesi i Kosovës, Astrit Selmani, ka humbur penallti vendimtare në finale të Kupës së Suedisë në futboll. Skuadra e Selmanit, Hammarby, të enjten humbi në finale nga Malmo pas ekzekutimit të penalltive. Nuk kishte gola gjatë 120 minutave lojë.

Në serinë e fundit të penalltive, Ola Toivonen shënoi për 4:3 në të mirë të Malmos. Selmani e kishte përgjegjësinë për të gjuajtur penalltinë e fundit për Hammarbyn. Dhe ai gjuajti drejt në portier.

Mediat suedeze kanë raportuar se arbitri i ka rënë pipit dy herë te penalltia e Selmanit.

“Nuk e di pse e bëri këtë. Por për fat të keq kështu ndodhi. I ra pipit dy herë. Ai vërshëlleu, unë vrapova. Më pas sërish vërshëlleu”, ka thënë Selmani pas ndeshjes. “Është e qartë se ka ndikuar pak, por kjo nuk është e rëndësishme. Ne kemi humbur”.

Te Hammarby startuan edhe mbrojtësi i Kosovës, Edvin Kurtulush si dhe Loret Sadiku që u zëvendësua në minutën e 99-të.

Për Malmon është Kupa e parë e Suedisë që nga viti 1989. Trofeun e ka fituar 15 herë.

Patriot Sejdiu nuk ishte i grumbulluar fare te Malmo.