Ka dhënë dorëheqje një trajner zviceran i hendbollit që goditi lojtaren e tij me gju në pjesën e prapme të trupit. Bëhet fjalë për trajnerin Christian Mueller që ka goditur hendbollisten kosovare Merita Shabanaj.
Rasti, që është vlerësuar skandaloz nga mediat zvicerane, ka ndodhur të shtunën e kaluar në ndeshjen për promovim në elitën zvicerane, Olten – Herzogenbuchsee. Për veprimin skandaloz të trajnerit, që është edhe pjesë e rëndësishme e federatës zvicerane, ka shkruar edhe mediumi më i fuqishëm zviceran “Blick”.
Olteni ka pranuar gol në sekondën e fundit dhe kështu nuk ka mundur të promovohej në elitë. Pas golit të pranuar, trajneri Mueller ka humbur kontrollin.
Me golin e pranuar në fund rezultati u barazua në 32:32. Dhe ky rezultat nuk ishte i mjaftueshëm për skuadrën Olten, ku Shabanaj luan me shumë sukses. Pas veprimit të pakontrolluar të trajnerit, Merita Shabanaj mbeti e habitur dhe vetëm shikoi në drejtim të tij. Një bashkëlojtare i foli më pas duke e ngushëlluar.
Olteni po luante me një lojtare më shumë në fushë dhe e kishte portën e zbrazët. Shabanaj, që është alo, duhej të ndërrohej me portieren pas përfundimit të aksionit. Por ndërrimi nuk u bë mjaftueshëm shpejt dhe Olteni pranoi gol nga gjysma. Trajneri ka vlerësuar se përgjegjësia ishte e lojtares kosovare dhe bëri veprimin e papranuar ndaj saj.
“Gabimi në asnjë mënyrë nuk justifikon sulmin fizik të trajnerit”, ka shkruar Blick.
Nga klubi nuk kanë dashur të komentojnë rastin. Por ndërkohë trajneri Christian Mueller ka vendosur të japë dorëheqjen. Ai ka kërkuar falje për incidentin e rëndë, njofton Blick.
“Pas katër vjetësh të shkëlqyer gjatë të cilave kam punuar me shumë pasion si trajner te HVO, erdhi koha të largohem. Në sekondat e fundit të ndeshjes me Herzogenbuchsee kam bërë një gabim në emocionet e momentit. Pasi humbëm promovimin në momentin e fundit, unë kam humbur kontrollin e emocioneve për një moment dhe kam goditur një nga lojtaret e mia me gju. Një sjellje e papranueshme për të cilën i kërkoj falje të sinqertë lojtares, ekipit dhe klubit”, ka shkruar Mueller. Ai ka bërë të ditur se i gjithë ekipi ka pranuar faljen e tij.
Skandali prek edhe Federatën e Hendbollit të Zvicrës ku Mueller mban pozitë të rëndësishme si udhëheqës i stërvitjes. Me rastin tashmë po merret një komitet disiplinor i Federatës.
Merita Shabanaj ishte prej më të mirave tek Olteni. Ajo realizoi katër gola nga gjashtë tentime. Prej më të mirave ishte gjatë gjithë edicionit. Dhe sjellja e pakontrolluar e trajnerit nuk vë në hije kampionatin e suksesshëm të hendbollistes kosovare.