Sport

Fati kthehet te Spanja për ndeshjet e Ligës së Kombeve

Ansu Fati u ftua sërish te Përfaqësuesja e Spanjës të hënën pas një pushimi të gjatë shkaku i dëmtimit.

Përzgjedhësi i Spanjës, Luis Enrique, e përfshiu sulmuesin 19-vjeçar të Barcelonës në listën e 25 lojtarëve të përzgjedhur për katër ndeshjet e Ligës së Kombeve që ekipi i tij do t’i luajë në qershor.

Fati nuk ka luajtur me Spanjën që nga ndeshja e Ligës së Kombeve kundër Ukrainës në tetor të vitit 2020. Ai së fundi u kthye te Barcelona pasi u rikuperua nga lëndimi i gjurit dhe muskulit. Ai shënoi një gol në pesë paraqitje në ligën spanjolle gjatë këtij muaji, në të cilat u inkuadrua nga banka e rezervistëve.

“Ansu Fati është një rast i veçantë. Ne nuk do të rrezikojmë me të”, tha Luis Enrique. “Ai nuk ka luajtur shumë kohët e fundit. Ne duam ta shohim atë të stërvitet dhe ta rifitojë besimin. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm dhe ne duam që ai të luajë sërish në formën e tij më të mirë”.