Sport

Dallku: Thyem traditën, mbajtëm skuadrën në Superligë

Me barazimin pa gola të dielën te Malisheva në stadiumin “Liman Gegaj”, Dukagjini ka arritur që t’i shmanget barazhit të Superligës së Kosovës në futboll, për herë të parë.

Dukagjini më herët kishte luajtur katër herë në ndeshje të barazhit, ndërsa sivjet siguroi qëndrimin në Superligë edhe për një vit tjetër.

“Normalisht jam i lumtur jashtëzakonisht shumë. Ishim përgatitur që ta kapim kundërshtarin në kundërsulm dhe patëm disa raste. Pas shumë kohësh e kemi thyer traditën. Katër herë skuadra ka luajtur në barazh, por ne jemi kujdesur që të mos ndodh një gjë e tillë. Kemi pasur dëshirë të përfundojmë më lartë në tabelë. I falënderoj të gjithë për rrugëtimin tonë të mundimshëm. Më në fund ia arritëm që të mbijetojmë në Superligë. Me rëndësi është për ne, për gjithë stafin, që e arritëm objektivin tone”, tha fillimisht trajneri Armend Dallku, ndërsa më pas foli për vështirësitë që e kanë përcjellur ekipin gjatë rrugës.

“Për këtë sukses, çelësi i suksesit është grupi. Nëse në fazën e parë dhe të dytën kishim probleme me një formacion titullar, kishim lojtarë të lënduar e me kartonë të kuq, në pjesën vendimtare ekipi u komponua. Në dy fazat e para, afër 18 ndeshje nuk kemi luajtur me një formacion të njëjtë, jemi penalizuar nga kjo. Një skuadër që vjen nga liga e parë, të mos ketë stabilitet, është problem i madh. Ekipi u konsolidua dhe arritëm rezultate të mira dhe jam shumë i kënaqur. Kjo e arritur është për gjithë tifozët e Klinës që në kanë qëndruar gjithmonë afër. Falënderoj edhe drejtorin dhe shefin e klubit, Fabian Veselin, i cili na ka mbështetur vazhdimisht”, ka theksuar Dallku.