Trajneri i Malishevës, Arsim Thaqi, ka theksuar pas ndeshjes se skuadra e tij, por edhe vetë ai, kanë qenë në presion të madh për ndeshjen me Dukagjinin.
Malisheva dhe Dukagjini të dielën barazuan pa gola në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë. Ky rezultat iu përshtat Dukagjinit, që siguroi mbetjen në elitën e futbollit kosovar edhe për sezonin tjetër.
“Normal që nuk është e lehtë ta udhëheqësh një skuadër si trajner, por nuk është e lehtë as për lojtarët. Kemi qenë në presion. Dukagjinit i është dashur barazimi dhe e ka pasur më të lehtë se ne që e kemi ndjekur fitoren. E përgëzoj çdo lojtar për angazhimin. E kemi edhe një ndeshje tjetër për ta siguruar qëndrimin në Superligë dhe do të mundohemi të japim më të mirën”, ka thënë Thaqi.