Sport

Kumbulla fiton ballafaqimin me Berishën

Marash Kumbulla me Romën ka dalë fitimtar përballë Etrit Berishës që është pjesë e Torinos.

Roma të premten në mbrëmje fitoi në udhëtim te Torino me rezultatin 3:0, dhe e mbyll kampionatin me fitore, si dhe e siguron kalimin në Ligën e Evropës vitin tjetër.

Tammy Abraham i shënoi dy golat e parë për skuadrën vizitore, në minutën e 33-të dhe të 42-të nga penalltia.

I saktë nga pika e bardhë ishte edhe Lorenzo Pellegrini në minutën e 78-të.

Kumbulla te Roma dhe Berisha në portë te Torino e kompletuan këtë ballafaqim.

Në 38 ndeshje, Roma ka arkëtuar 63 pikë dhe pozicionohet në vendin e pestë.

Lazio është në pozitën e gjashtë me 63 pikë po ashtu, por ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Roma në mesjavën e ardhshme e luan finalen e Ligës së Konferencës kundër Feyenoordit holandez. Finalja zhvillohet në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.