Sport

Abrahami i vendosur ta fitojë Ligën e Konferencës në sezonin shpërthyes te Roma

Mund ta quani si të doni – një garë e nivelit të tretë apo edhe një kupë e vogël – por finalja e edicionit inaugurues të Ligës së Konferencës përfaqëson një mundësi të madhe për sulmuesin e Romës, Tammy Abraham. Një vit më parë, Abrahamit nuk iu dha asnjë vend në stol, kur skuadra e tij Chelsea e fitoi Ligën e Kampionëve. Por pas një sezoni në Romë nën drejtimin e trajnerit Jose Mourinho arritja në finalen e së mërkurës së ardhshme kundër Feyenoordit në Tiranë, Shqipëri, tregon pse 24-vjeçari Abraham kishte të drejtë që u largua nga klubi londinez, me të cilin ishte i lidhur prej 16 vjetësh.

“Për mua nuk është një trofe i vogël. Unë besoj se çdo finale është një finale – pavarësisht se çfarë konkurrence është”, tha Abraham të enjten. “Kur arrin finalen, natyrisht se dëshiron ta fitosh. Është një trofe dhe këto janë momentet që shikon pas në karrierën tënde, duke thënë se dëshiron të fitosh trofe. Për mua kjo është një mundësi. Për bashkëlojtarët e mi dhe për tifozët e Romës, kjo është një mundësi për të ngritur një trofe evropian”.

Me 190 centimetrat e tij, Abrahami është dëshmuar i aftë të shënojë gola si në ajër ashtu edhe në tokë. Ai ka shënuar 24 gola në të gjitha garat këtë edicion: 15 në Serie A, nëntë në Ligën e Konferencës – përfshirë golin vendimtar ndaj Leicesterit në gjysmëfinale – dhe një në Kupën e Italisë. Kur Mourinho e bindi Romën të shpenzonte 40 milionë euro për transferimin e Abrahamit në gusht të vitit të shkuar, sulmuesi ishte një “mall i panjohur” në Itali. Por Mourinho e njihte Abrahamin që nga koha e tij në Chelsea, shumë kohë përpara se anglezi të mos aktivizohej nga Thomas Tuchel në mes të sezonit të kaluar.

“Për mua, ai ka qenë një nga trajnerët më të mirë në botë për një kohë shumë të gjatë”, tha Abraham për Mourinhon. “Kur fola me të në telefon, ai kishte ambicie, klubi kishte ambicie dhe një mentalitet se ku duan të arrijnë. Mourinho nuk e pati të lehtë ta çojë një klub në një finale, në të cilën ata nuk kanë qenë për shumë vjet, por ju mund të shihni sa mirë po ia del dhe sa mirë po luajmë ne”.

Kjo do të jetë finalja e parë evropiane për Romën që nga humbja e trofeut të Kupës së UEFA-s në vitin 1991 ndaj rivalit vendas Interit. Roma gjithashtu humbi një penallti kundër Liverpoolit në finalen e Kupës Evropiane të vitit 1984 në stadiumin e saj. I vetmi trofe evropian që Roma ka fituar erdhi në vitin 1961 në Kupën e Panaireve - një turne që konsiderohet si pararendës i Kupës së UEFA-s dhe Ligës së Evropës.

“Ky është një klub gjigant pa dhomë trofesh në lidhje me dimensionin social të klubit”, ka thënë Mourinho për skuadrën.

Abrahami ka përqafuar pasionin e tifozëve të Romës dhe zyrtarëve të klubit që nga dita e parë.

“Sapo zbrita në Romë, ata më bënë të ndihesha si një prej tyre menjëherë. Ishte dashuria, pasioni, mënyra se si më pritën”, tha ai. “I thashë vetes: ‘Do të jap gjakun, djersën, lotët për këtë klub’ dhe ka qenë një vit i mrekullueshëm – një sezon i gjatë”.

Para finales, Roma e përfundon sezonin në Serie A në udhëtim te Torino të premten, ende në kërkim për të vulosur një vend në Evropë. Nëse Roma nuk siguron një përfundim në shtatë vendet e para në tabelë, atëherë do t’i duhet patjetër ta mposhtë Feyenoordin në finale për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Evropës sezonin e ardhshëm.

“Ne kemi edhe dy ndeshje të tjera – dy finale të tjera – përpara”, tha Abraham.

Abraham është një nga tre lojtarët anglezë në ekipin e Romës, së bashku me mbrojtësin Chris Smalling dhe mesfushorin Ainsley Maitland-Niles. Midis përvojës së madhe të Mourinhos në Premier League dhe ish-mesfushorit të Manchester Unitedit e Arsenalit, Henrikh Mkhitaryan, ndikimi nga liga më e mirë vendase në botë është i fortë tek ekipi italian.

“Kemi një përzierje të mirë këtu. Kemi lojtarë italianë që kanë luajtur këtu gjatë gjithë jetës së tyre. Ne kemi lojtarë që kanë luajtur edhe në Angli”, tha Abraham. “Është një grup i madh djemsh që mblidhen të gjithë së bashku. Ne duhet t'i bëjmë dy ndeshjet e fundit një moment shumë të veçantë për të përfunduar gjithçka”.