Eintracht Frankfurti dhe Rangersi do ta kenë një mundësi të artë për t’i dhënë fund dëshpërimit për dekada të tëra për një trofe të madh kur do të përballen në finalen e Ligës së Evropës. Kjo ndeshje zhvillohet të mërkurën prej orës 21:00 në stadiumin “Ramon Sanchez-Pizjuan” në Sevilla. Për Frankfurtin, kjo finale do të jetë mundësi për të fituar trofeun e parë evropian pas më shumë se katër dekadash pritjeje. Ndërsa, Rangersi ka shansin që pas 50 vjetësh ta fitojë titullin e parë kontinental. Triumfi në garën e nivelit të dytë të UEFA-s në qytetin spanjoll do t’i garantojë gjithashtu fituesit një vend automatikisht në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve sezonin e ardhshëm.
“Për Eintrachtin, për tifozët, për klubin, për lojtarët, të fitojmë sërish pas 42 vjetësh do të ishte gjëja më e rëndësishme që ka ndodhur ndonjëherë”, tha trajneri i Frankfurtit, Oliver Glasner. “Ka një rëndësi të jashtëzakonshme, domethënie të madhe, dhe kjo është arsyeja pse ne do të japim më të mirën në mënyrë që të kthehemi në shtëpi me trofeun dhe të kalojmë një ose dy net duke festuar me tifozët tanë”.
Kjo do të jetë finalja e parë evropiane e Frankfurtit që nga triumfi ndaj Borussia Moenchengladbachut në vitin 1980 në një ndeshje krejt gjermane në Kupën e UEFA-s, paraardhësi i Ligës së Evropës. Rangersi ishte afër lavdisë evropiane kur luajti në finalen e Kupës së UEFA-s në vitin 2008, por humbi nga Zeniti i Shën Petersburgut. Klubi skocez po kërkon trofeun e tij të parë evropian prejse e fitoi Kupën e Fituesve të Kupave në vitin 1972. Të dy klubet kanë baza të mëdha tifozësh dhe dhjetëra mijëra pritet të grumbullohen në Spanjën jugore për ta shijuar suksesin e ekipit të tyre përsëri, duke shkaktuar shqetësim nga autoritetet lokale dhe UEFA. Kishte pasur dhunë nga tifozët që përfshinte tifozë vizitorë në Sevilla kur klubet lokale Sevilla dhe Real Betisi e luajtën një ndeshje më herët në këtë garë.
Para gjysmëfinales mes Frankfurtit dhe West Hamit në Gjermani, më shumë se 30 arrestime u bënë pasi mbështetësit e të dy klubeve u përleshën në disa lokacione në Frankfurt. Tifozët e klubit gjerman pushtuan gjithashtu titujt kryesorë kur më shumë se 30,000 prej tyre u futën në stadiumin “Camp Nou” në Barcelonë për ndeshjen e dytë të fazës çerekfinales. UEFA ka kërkuar që tifozët pa bileta të mos udhëtojnë në Spanjë për finalen e së mërkurës dhe paralajmëroi për rreziqet e blerjes së biletave në tregun sekondar. Më shumë se 40,000 vende do të jenë të disponueshme në stadiumin “Ramon Sanchez-Pizjuan”, por vetëm rreth 10,000 bileta u ndanë për çdo klub. Zyrtarët e qytetit të Sevillas tashmë kanë planifikuar të hapnin zonat e tifozëve për të akomoduar ata që nuk do të jenë në gjendje të futen në stadium.
Ndeshja do të sjellë në finale dy skuadra fizike dhe me intensitet të lartë. Rangersi, i udhëhequr nga kapiteni dhe golashënuesi më i mirë, James Tavernier, humbi dy ndeshjet e para në grup, por përfundimisht u kthye fuqishëm. Ai tashmë ka eliminuar dy klube gjermane për të arritur deri në finale të Ligës së Evropës. Eliminoi Borussia Dortmundin në rundin e parë dhe Leipzigun në gjysmëfinale.
“Kur je në fazën eliminatore është gjithçka ose asgjë dhe karakteri i lojtarëve të mi ka qenë i jashtëzakonshëm”, tha trajneri i Rangersit, Giovanni van Bronckhorst, i cili u punësua në nëntor pasi Steven Gerrard iu bashkua Aston Villas. “Të mund të fitosh kundër atyre kundërshtarëve të fortë është shumë mirë, kështu që ne kemi karakterin për të luajtur këtë finale, kemi cilësitë dhe gjithashtu kemi besimin. Kjo është gjëja më e rëndësishme, të kesh besimin se mund të arrish”.
Frankfurti, i udhëhequr nga portieri veteran, Kevin Trapp, doli në finale i pamposhtur pasi eliminoi disa kundërshtarë të fortë - Real Betisin në 1/8 e finales, Barcelonën në çerekfinale dhe West Hamin në gjysmëfinale. Frankfurti po përpiqet të bëhet ekipi i tretë i pamposhtur që fiton titullin në epokën e Ligës së Evropës, pas Chelseat në vitin 2019 dhe Villarrealin në vitin 2021.
“Çdo ekip që shkon në finale e ka merituar sepse është një rrugë e gjatë. Duhet të fitosh shumë ndeshje”, tha Glasner. “Rangersi eliminoi dy skuadra kryesore nga Bundesliga dhe kjo tregon se është një ekip i fortë. Personalisht, pres një ndeshje shumë të barabartë dhe të luftuar”.
Përballja e fundit mes dy klubeve ishte e dhimbshme për Rangersin. Klubi skocez pranoi gjashtë gola në secilën nga dy ndeshjet gjysmëfinale të Kupës Evropiane në vitin 1960, duke u privuar nga mundësia për të luajtur një finale në shtëpi në Glasgow. Frankfurti humbi në finale nga Real Madridi 7:3. Frankfurti nuk është rikthyer në garën më të mirë të Evropës për klube që nga ajo finale, ndërsa Rangersi bëri paraqitjen e fundit në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve në sezonin 2010/11. Herën e fundit që finalja e Kupës së UEFA-s u luajt në Sevilla, në vitin 2003, rivali skocez i Rangersit, Celtic, humbi titullin ndaj Portos së udhëhequr nga Jose Mourinho.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.