Peja është dënuar me 7000 euro dhe me zhvillimin e dy ndeshjeve pa praninë e shikuesve për shkak të incidenteve të shumta që ndodhën në ndeshjen e së dielës ndaj Trepçës. Ishte ndeshja e tretë e gjysmëfinales së plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Ndeshjen e fitoi Peja, por fitorja mbeti në hije të incidenteve të shumta. Peja është dënuar për gjashtë shkelje të ndryshme me gjithsej 7000 euro. Po ashtu skuadra pejane duhet të luaj dy ndeshjet e ardhshme si vendas pa praninë e shikuesve.
Pra ndeshja e katërt e serisë gjysmëfinale, të enjten, do të zhvillohet pa shikues në tribuna. Peja fitoi 72:66 në “Karagaçin” e stërmbushur për të ngushtuar rezultatin në 2:1 në serinë gjysmëfinale. Fyerje e hedhje në parket ka pasur shumë kohë para se të niste ndeshja, ndërsa ato kanë vazhduar gjatë gjithë ndeshjes. Me të hyrë tifozët mitrovicas në palestër, ka pasur përpjekje për konfrontim.
Por ka intervenuar policia. Ka pasur ndërprerje tjetër për shkak të hedhjes së gjësendeve në fushën e lojës. Disa sekonda para fundit, një tifoz vendas hyri në parket dhe e preku në kokë lojtarin e Trepçës, Rodney Purvis. Trepça më pas u tërhoq në zhveshtore. Nisën hedhje të mjeteve ndezëse nga ana e tifozëve. Ato hidheshin te grupi kundërshtar i tifozëve, por edhe në parket. Ndërkohë policia largoi nga palestra tifozët mysafirë e më pas u vendos që të zbrazet tërësisht salla. Pas gati një orë ndërprerje u luajtën 30 sekondat e mbetur. Komesari i garave të Superligës, Faton Kurshumlija ka shkruar në informator se sjelljet e shikuesve të Pejës ishin jo të mira.
“Anim dhe sjellje josportive, ofendime në baza nacionale ndaj lojtarëve të ekipit mysafir. Hedhje të gjësendeve të forta të cilat mund të shkaktojnë lëndime. Hedhje të petardëve – fishekzjarrëve. Hyrja e personave jo zyrtarë në fushë me përpjekje të realizimit të sulmit fizik”, ka shkruar komesari për sjelljet e tifozëve të Pejës. Për tifozët e Trepçës ka shkruar: “Sjellje jo të mira. Anim dhe sjellje josportive ndaj lojtarëve të ekipit vendas. Hedhje të gjësendeve të forta të cilat mund të shkaktojnë lëndime. Hedhje të petardëve – fishekzjarrëve”.
Organizimi i ndeshjes nga KB Peja është cilësuar në tërësi jo i mirë. Trepça është gjobitur me 1500 euro. Gjobë i është ndarë edhe Sigal Prishtinës për ndeshjen ndaj Yllit. Prishtina është gjobitur me 2800 euro. Komesari ka vlerësuar se Prishtina nuk e ka organizuar mirë ndeshjen e së shtunës me Yllin. Ka munguar policia e Kosovës. Për shikuesit prishtinas, komesari ka shkruar se kanë hedhur petardë në fushë, ndërsa ka pasur edhe hyrje të personave jozyrtarë në fushë. Në ndeshjen Prishtina – Ylli është sulmuar fizikisht një tifoz i Yllit. Ylli ka fituar tri gjysmëfinalet e para dhe tashmë është në finale.