Sport

Fabregasi nuk e mendon pensionimin

Cesc Fabregas ka konfirmuar se ai do të largohet nga Monaco kur t’i skadojë kontrata në fund të këtij sezoni, por 35-vjeçari dëshiron të vazhdojë të luajë, pavarësisht “vitit më të keq në jetën e tij”, ka shkruar “SkySports” të shtunën.

Spanjolli iu bashkua skuadrës franceze nga Chelsea në janar të vitit 2019, por ka pasur telashe me lëndime të shumta dhe me koronavirus këtë sezon.

Ka luajtur në vetëm pesë ndeshje në të gjithë sezonin.

“Është e sigurt se ka përfunduar gjithçka mes Monacos dhe mua. Kontrata ime skadon në qershor dhe po shikoj fillim të ri. Koka ime ka nevojë për fillim të ri diku tjetër. Është viti më i keq, jo vetëm në karrierën time, por edhe në jetë, sepse kur nuk jam i lumtur në futboll, nuk jam i lumtur me jetën time. Kam vuajtur shumë këtë vit dhe ishte e rëndë edhe në aspektin mental”, ka thënë ish-mesfushori i Arsenalit dhe Barcelonës.