Bordeauxi rrezikon rënien nga elita e futbollit francez për herë të parë në 31 vjet këtë vikend.
Kampionit të gjashtëfishtë të Francës i duhen dy fitore në dy ndeshjet e fundit. Të parën duhet ta arrijë kundër Lorientit të shtunën, ndërsa tjetrën në udhëtim te Bresti më 21 maj. Me këto gjashtë pikë do të kishte shpresë për të luajtur në plejout.
Bordeaux është në pozitën e fundit në tabelë me 27 pikë.
Megjithatë, fati i tyre do të mbështetet edhe te skuadrat e tjera. Nëse Saint-Etienne i vendit të 18-të me 31 pikë fiton ndaj Reimsit apo Nantesit, do ta dënonte një nga skuadrat më të mëdha të Francës, e cila nuk dihet nëse ka të ardhme të mirë për shkak se rrezikon bankrotimin.
Kjo situatë ka ardhur si pasojë e ish-pronarëve “King Street”, një grup financiar nga Amerika, që u tërhoq pasi blenë skuadrën në vitin 2018 për 100 milionë euro.
Kjo skuadër në fakt përkohësisht ra në rangun e dytë të futbollit francez në korrik për parregullsi financiare, por një gjë e tillë nuk ndodhi pasi liga e aprovoi një plan të biznesmenit Gerard Lopez.
Lopez ishte larguar nga posti i presidentit të Lillet në dhjetor të vitit 2020 pasi krijoi një skuadër pretendente për titull, por grumbulloi borxhe prej 120 milionë eurove.
Ai e krahasoi projektin e këndelljes së Bordeauxit me “ngjitjen në Kilimangjaro pa oksigjen”. Në fakt, klubi është në kërkim të “ajrit” për t’i shpëtuar më të keqes.
Titulli i fundit i fituar nga Bordeaux në Francë ka qenë në vitin 2009, ndërsa në vitin 2013 e fitoi Kupën e Francës.
Vitin e kaluar flirtoi me rënie nga elita, por i fitoi dy ndeshjet e fundit.
Ky ekip sivjet ka pësuar 89 gola në total, më shumë se çdo skuadër tjetër në ligat më të forta të Evropës.
Bordeauxi pësoi rënie administrative në vitin 1991 për borxhe të mëdha, por u kthye në ligë në sezonin tjetër.
Pasi regjistroi humbje prej 67 milionë eurove në edicionin 2020/21 dhe 35-45 milionë euro këtë edicion, Bordeauxi mund të bjerë në rangun e pestë të futbollit të Francës.