Sport

Ndeshjen vendimtare Hertha e luan me Dortmundin

Sulmuesi i Borussia Dortmundit, Erling Haaland, do të jetë në fushë për herë të fundit me fanellën e Dortmundit në Bundesligë këtë të shtunë në orën 15:30.

Haalandi mund t’i thyejë zemrat e tifozëve të Hertha Berlinit në ditën e fundit, pasi kjo skuadër rrezikon rënien nga liga.

Hertha ka 33 pikë dhe pozicionohet në vendin e 15-të, tri më shumë se Stuttgarti që është në zonën e barazhit.

Sulmuesi norvegjez do të paraqitet për herën e fundit për Dortmundin, para se të kalojë te Manchester City. Me “verdhezinjtë”, Haaland ka shënuar 61 gola në 66 paraqitje qëkur iu bashkua skuadrës në janar të vitit 2020.

Nëse humb nga Dortmundi dhe Stuttgarti fiton, atëherë Hertha do të binte nën këtë skuadër, për shkak të goldallimit inferior.

Hertha Berlini nuk ka fituar në udhëtim te Dortmundi që prej vitit 2013. Trajneri i këtij ekipi, Felix Magath, ka thënë se ekipi i tij është “përgatitur” për skenarin më të keq, rënien në barazh.

Trajneri amerikan i Stuttgartit, Pellegrino Matarazzo, ka thënë se ekipi i tij do të mundohet ta kryejë detyrën me sukses. Stuttgarti të shtunën po ashtu në orën 15:30 e pret skuadrën e Koelnit.

Freiburgu ndërkohë është duke u munduar që të përfundojë në top- katërshe. Udhëton te skuadra e Bayer Leverkusenit të vendit të tretë, që e ka siguruar kalimin në Ligën e Kampionëve.

Freiburgu synon kualifikimin në “Champions” për herë të parë në histori të klubit.

Megjithatë, favorit për vendin e katërt mbetet Leipzigu, që udhëton te skuadra e parafundit në tabelë, Arminia Bielefeld.

Union Berlini i vendit të gjashtë shpreson në mbrojtjen e vendit, që dërgon në Ligën e Evropës. Edhe edicionin e kaluar, kjo skuadër luajti në këtë garë të UEFA-së. Të shtunën e pret Bochumin.

Union Berlini ka dy pikë më shumë se Koelni, që është në rrugë të mirë për t’u kualifikuar në Ligën e Konferencës nga vendi i shtatë.