Sport

Jashari po bën emër në futbollin e Zvicrës

(blick.ch) – Ai qëndron atje dhe flet me vetëbesim. Për golin e parë për Luzernin. Për fitoren e rëndësishme ndaj Lausannes. Për shpresën e re në garën për mbetje në elitë.

Ardon Jashari përnjëherë është njeri i kërkuar në Luzern.

Ai ecën me qetësi dhe u afrohet mikrofonave me radhë në zonën e intervistave, pas ndeshjes së luajtur të dielën e kaluar me Lausannen. Ka brohoritje në prapavijë.

“Ardon, Ardon”.

Disa fëmijë kërkojnë fanellën e tij. Në një moment ai dorëzohet duke ngritur supet. Ia jep fanellën një tifozi pas barrierës.

Jashari? Pak më shumë se katër muaj më parë ky djalosh 19-vjeçar ishte ende kapiten i U21 të Luzernit. Një talent që më herët fitoi dy paraqitje testuese nën Fabio Celestinin. Por nuk kishte rol për të në ndeshjet e pjesës së parë të këtij edicioni.

Ai u ftua nga trajneri i ri, Mario Frick, në përgatitjet dimërore. Ishte aq bindës në stërvitje, saqë Frick e aktivizoi para mbrojtjes në ndeshjen e parë të pjesës së dytë ndaj Baselit. Dhe e la aty prej atëherë.

Jashari, pra, mbulon një pozitë të rëndësishme te FCL-së. Përkundër moshës së re ai ka një trup të ndërtuar. Trajneri Frick vlerëson lojën e tij, sidomos pasqyrën që ai ka për lojën dhe qetësinë. Pasimet e tij vertikale po ashtu.

Jashari është pjesë integrale e sistemit të ri të lojës që shpesh ka lënë në stol kapitenin Christian Gentner dhe heroin e Kupës, Jordy Wehramenn.

“Starti im në janar? Ishte nga zero në 100”, thotë Jashari me buzëqeshje.

Lojtarë me përvojë si Gentner, Filip Ugriniq dhe Mohamed Draeger po e këshillojnë.

“U jam falënderues atyre dhe Mario Frickut. Ky besim është me shumë rëndësi”.

Ndërkohë Jashari ka arritur suksese të reja kulmore: debutimi te U21 e Zvicrës (i paharrueshëm) dhe së fundi goli i parë, ndaj Lausannes (i papërshkrueshëm).

Megjithatë, trajneri Frick shikon në lojtarin e tij të talentuar me sy kritik dhe ndonjëherë flet publikisht për pakënaqësitë. Pas fitores 1:0 ndaj Grasshopperit në mars ai foli për “ndeshjen më të dobët të Jasharit deri më tani”.

Me gjithë rrezikun e rënies, Frick ka lejuar lojtarin e rritur te Luzerni që të bëjë gabime dhe të fitojë përvojë. Por po ashtu të shkëlqejë.

“Ju nuk mund të ndalni më karrierën e tij”, thotë ish-sulmuesi i Serie A.

“Nëse ai qëndron me këmbë në tokë, tashmë është i lansuar”.

Jashari (që ka kontratë deri në vitin 2025), nuk shfaq, të paktën për botën e jashtme, se po ndikohet nga fama e shpejtë.

“Deri më tani kam qenë në gjendje ta menaxhoj mirë. Kjo është gjëja më e rëndësishme në situatën time”.

Dhe tashmë janë marrë masa që karriera e tij të zhvillohet në drejtimin e duhur. Familjarë të tij e këshillojnë Jasharin. Por familja merr përkrahje nga një i punësuar në “Gestifute”, kompania konsulente e Jorge Mendesit, që po ashtu kujdeset për Cristiano Ronaldon. Është e kuptueshme që fluturimit të lojtarit të Luzernit po i kushtohet vëmendje e veçantë.