Enis Bardhi nuk po vlerësohet më shumë i rëndësishëm te Levante. Futbollisti shqiptar i Maqedonisë së Veriut nuk është i vlefshëm për trajnerin Alessio Lisci.
Bardhi ende nuk ka arritur ta kapërcejë me sukses murin e vendosur tashmë mes tij dhe trajnerit, shkruan të enjten “Plaza Deportivo”. Bardhi ka luajtur pak së fundi nën drejtimin e trajnerit italian. Në 13 ndeshjet me Liscin, Bardhi ka qenë gjashtë herë titullar. Por edhe kur është në fushë, Bardhi nuk e ka ndikimin që e kishte në lojën e ekipit. Skuadra po luan me sistemin 5-3-2.
“Mesfushori është dashur të përshtatet në pozicione të ndryshme këtë edicion. Që nga kthimi në Valencia pas ndeshjes së plejofit të botërorit ‘Katari 2022’, Bardhi nuk ka qenë titullar me Levanten”, shkruan mediumi spanjoll.
Bardhi nuk e ka të sigurt paraqitjen si titullar edhe në ndeshjen që Levante e luan ndaj Valencias, të shtunën në kuadër të xhiros së 34-t të La Ligas spanjolle. Levante është në garë për mbijetesë në elitën spanjolle. Zë vendin e parafundit me 25 pikë, sa i ka edhe Alavesi në vendin e fundit. Cadizi, që është jashtë zonës së rënies, i ka 31 pikë.
“Bardhi do të konkurrojë sërish me Meleron për një vend, nëse nuk ka ndryshime të planeve. Por trajneri preferon të luajë lojë defensive”, shkruan sajti spanjoll.
Humbja e ndikimit të Bardhit ka bërë që Levante të mendojë shitjen e tij. Levante shpreson ta shesë për më shumë se dhjetë milionë euro para 30 qershorit. Edhe pse nuk është duke luajtur rregullisht, Bardhi është një nga lojtarët prej të cilëve Levante mund të fitojë më së shumti financiarisht.
Planet ishin që Levante ta shesë në verën e kaluar, por nuk pati ndonjë ofertë serioze për të bindur drejtuesit e klubit. Për Bardhin kanë shprehur interesim disa klube. Ai vlerësohet lider te Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut.
26-vjeçari në 25 ndeshje në La Liga këtë edicion ka shënuar tre gola dhe ka kontribuar me dy asistime. Pjesë e Levantes është që prej korrikut të vitit 2017.