Sport

Gripshi shfaq vlerat kur i duhet më së shumti Ballkanit

Descriptive Text

Nazmi Gripshit i mungoi vetëm goli për ta mbyllur një ndeshje të shkëlqyeshme për Ballkanin, të dielën në derbi kundër kampiones në fuqi, Prishtinës. Gripshi bëri gjithçka tjetër. Ai bëri dy asistime, siguroi edhe një penallti. Po ashtu goditi traversën.

Ishte i pandalshëm në fitoren e Ballkanit ndaj Prishtinës me shifrat 2:0. Por futbollisti ofensiv nga Durrësi është modest. Për paraqitjen e tij dhe fitoren thotë se merita kanë gjithë futbollistët e klubit nga Suhareka.

Gripshi i është gëzuar fitores së arritur ndaj Prishtinës, por thotë se nuk është koha ende për festë.

“Paraqitja e fundit ishte nga i gjithë ekipi fantastike. Rëndësi ka fitorja. Loja e mirë vjen nga grupi që kemi krijuar dhe e rëndësishme është të sjellim trofeun në Suharekë”, ka thënë Gripshi të hënën për KOHËN.

Me fitoren ndaj Prishtinës, Ballkani ka bërë edhe një hap të madh drejt titullit të kampionit të Kosovës në futboll, që do të ishte historik për klubin nga Suhareka. Është lider me 63 pikë, tetë më shumë se përcjellësi i parë, Gjilani. Deri në fund të edicionit aktual kanë mbetur edhe shtatë xhiro.

“Kur të na lejojë matematika të festojmë, atëherë do të festojmë. Për ne çdo ndeshje është finale. Do ta japim maksimumin për ta sjellë trofeun në Suharekë”.

Gripshi nuk e fsheh dëshirën për ta fituar titullin e kampionit me Ballkanin. Gripshi me Skënderbeun e Korçës ka fituar titullin dhe Kupën në edicionin 2017/2018. Nga klubi korçar u largua pas tri edicioneve. Karrierë bëri edhe te Teuta e Durrësit.

24-vjeçari tregon se insistimi i Ballkanit e bindi që të transferohet në Kosovë, përkundër ofertave të shumta nga Shqipëria që kishte para vetes. Drejtuesit e Ballkanit paguan dëmshpërblim për të siguruar shërbimet e Gripshit. Vlerësohet se Ballkani shpenzoi rreth 60 mijë euro për ta mposhtur konkurrencën e fortë që e kishte nga skuadrat e tjera për Gripshin.

Sulmuesi i krahut tregon se kishte oferta edhe nga shumë skuadra nga Shqipëria, por ishte i vendosur të provojë një aventurë jashtë Shqipërisë. Para se të vendoste përfundimisht t’i bashkohej Ballkanit, ai kishte marrë informata nga shokët e tij që ishin pjesë e Superligës së Kosovës.

“Nuk kam hezituar t’i bashkohem Ballkanit, duke parë dëshirën e kryesisë dhe stafit që të jem pjesë e ekipit. Mund të them se kam kaluar shumë mirë dhe jam munduar ta jap maksimumin për të arritur objektivat e klubit dhe shpresojmë t’i arrijmë këtë vit”, ka thënë Gripshi.

Ish-futbollisti i Shpresave të Shqipërisë nuk e di nëse do të mbetet edhe më gjatë pjesë e futbollit kosovar.

“Në fund të sezonit më skadon kontrata dhe ku do të jetë më e mira do ta vazhdoj karrierën time. Nuk e di, nuk kam vendosur ende. Do të shoh ofertat e më pas do të vendos. Kosova po rritet shumë dhe jam i lumtur që po luaj në Kosovë”, është shprehur Gripshi.

Por Gripshi thekson se dëshira e tij është të mos largohet nga Ballkani pa fituar trofe.

“Ballkani është një nga klubet më korrekte dhe më profesionale në Kosovë. E kam menduar se mund të ndodheshim në këtë pozitë, sepse kryesia ka bërë një punë të mirë duke afruar lojtarë cilësorë për të qenë konkurrent për kreun e tabelës”, ka thënë Gripshi.