Sport

Rangersi, gjysmëfinalisti i fundit

Rangers, sport, futboll, 14 prill

Është mësuar edhe skuadra e fundit gjysmëfinaliste e Ligës së Evropës, nivelit të dytë të garave evropiane për klube të futbollit.

Rangersi ka fituar 3:1 ndaj Bragas portugeze, pas vazhdimeve, për të bërë vend në gjysmëfinale. Ndeshja është luajtur të enjten mbrëma, në “Ibrox Stadium” në Glasgow të Skocisë. Ndeshjen e parë të luajtur në Portugali, Braga e kishte fituar 1:0.

Në “Ibrox” rezultati pas 90 minutave lojë ishte 2:1 për Rangersin. Kështu fituesi duhej të caktohej pas vazhdimeve. Sulmuesi Kemar Roofe shënoi golin vendimtar në minutën e 101-të.

James Tavernier shënoi dy golat për Rangersin në kohën e rregullt. Ai shënoi që në minutën e dytë dhe në minutën e 44-t, nga penalltia. Bragan në lojë e ktheu David Carmo që shënoi për 2:1 në minutën e 83-të.

Rangersi në gjysmëfinale takohet me RB Leipzigun. Ndeshja e parë është në Gjermani më 28 prill, ndërsa e kthimit më 5 maj.

Në gjysmëfinalen tjetër takohen West Hami e Eintracht Frankfurti.