Sport

Kosova pëson edhe nga Turqia, mbyll kualifikimet në vendin e fundit

volejboll, sport, 10 prill

Volejbollistet e reja të Kosovës nuk kanë përfituar shumë nga fakti se i kanë luajtur në shtëpi ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian të këtij viti. Kosova U19 i ka humbur të gjitha tri ndeshjet e luajtura në kuadër të grupit I.

Paraqitjen më të mirë Kosova e kishte në ndeshjen e parë, të cilën e humbi me shifrat 3:2 në sete nga Estonia. Në FVK mburren me ata dy seta të fituar dhe për më tepër paraqitjen e kanë vlerësuar “impresive”.

Ndeshja me Estoninë u luajt të premten. Të shtunën Kosova U19 humbi 3:0 në sete nga Hungaria. Me rezultat të njëjtë Kosova humbi edhe të dielën nga Turqia. Seti i parë përfundoi 25:16 në të mirë të Turqisë. 16 pikë hendbollistet e reja kosovare i fituan edhe në setin e dytë, ndërsa i treti përfundoi 25:14.

Turqia ka fituar tri duelet dhe avancon tutje. Kosova mbeti e fundit në grup dhe mund t’i gëzohet vetëm përvojës së fituar në këtë aktivitet ndërkombëtar.

Trajneri Lorik Ilazi ka folur për mbyllje të shkëlqyeshme të garës.

“Mendoj se është një mbyllje e shkëlqyer e këtij turneu duke marrë parasysh se ne sot kemi luajtur kundër Turqisë, që ka vendin e parë në botë në këtë kategori, është kampione bote në U-19. Dhe të arrish t’i mbyllësh dy sete me nga 16 pikë dhe seti i fundit me 14 pikë, nuk është pak. Ne jemi të rinj dhe po ngrihemi ngadalë. Këtë e kemi dashur, që ky turne të shkojë në këtë mënyrë. Unë mendoj se është një ngritje shumë e madhe e volejbollit kosovar dhe ne duhet ta ruajmë dhe ta mbajmë këtë ritëm. Me këtë grup do të kemi edhe një grumbullim para turneut ballkanik në Rumani dhe shpresoj që me disa ndryshime të vogla ta ruajmë këtë frymë dhe nga turneu ballkanik të kthehemi me fitore”, ka thënë selektori i Kosovës, Lorik Ilazi.

Volejbollistja Megi Bislimi po ashtu është shprehur e kënaqur me paraqitjen.

“Kemi bërë një lojë shumë të mirë. Duhet marrë parasysh që në ndeshjen ndaj Estonisë kemi bërë një lojë shumë më të mirë se në ndeshjet e tjera. Na ka munguar fati në ndeshjen kundër Estonisë. Edhe në ndeshjet e tjera kemi treguar lojë të mirë, kemi mundur të arrijmë më shumë, por kjo është e tëra”, ka thënë ajo.