Efekti Muriqi është kthyer. Pasi u zhduk në disa ndeshje, njëjtë si i gjithë ekipi, kosovari i ka dhënë fitoren ekipit të tij me goditjen nga 11 metra, duke konvertuar në gol një penallti. Po ashtu, ishte mburojë defansive kur duhej të neutralizohej Atletico Madridi pas goditjeve nga këndi dhe ndërprerjet.
Prezenca e Muriqit edhe një herë ishte vendimtare në paraqitjen në ajër të Mallorcas dhe më në fund erdhi edhe fitorja, pas shtatë humbjeve rresht. Fitorja 1:0 ndaj Atletico Madridit mban firmën e sulmuesit kosovar.
Futbollisti ka thënë se “nuk ka rëndësi se kush shënon gola”, duke shtuar se gjëja e rëndësishme është që “pas shtatë humbjeve erdhi fitorja dhe ndjenja është shumë e mirë”.
Sa u takon tifozëve, me të cilët mban raporte të shkëlqyeshme, Muriqi ka theksuar se “është e jashtëzakonshme se si ata e kanë përkrahur ekipin deri në minutën e fundit. Me ta kemi më shumë energji dhe shpresoj të vazhdoj kështu. Jam dyfish i lumtur, për golin dhe për tri pikët”.
Për paraqitjen, sulmuesi i fuqishëm ka thënë se “Atletico është ekip i fortë fizikisht dhe puna ime është të luftoj me lojtarët e saj dhe të jem më i fortë se ata, për të ndihmuar bashkëlojtarët. Puna ime e parë nuk është të shënoj, por ta ndihmoj ekipin”.
Kosovari e di se kjo fitore është një hap para dhe se objektivi nuk është arritur ende. Ai thotë se “kjo nuk është e mjaftueshme, të gjithë e dimë këtë, por do të na ndihmojë të jemi më të qetë se në javën e kaluar. Tani i kemi edhe shtatë finale dhe dy apo tri fitore do të ishin shumë të mira për ne”.
Muriqi ka tri gola dhe një asistim në nëntë ndeshje për Mallorcan, ndërsa ai ka kryer punë edhe në mbrojtje.
Ai ka fituar simpatinë e tifozëve, që e kanë quajtur “Pirati”, ndonëse kërkesa prej 12 milionë eurosh për kartonin e tij është larg prej mundësive ekonomike që i ka Mallorca.