Sport

FFK-ja e vlerëson punë të kryer fitoren e Ademit, Kuvendi mund të bojkotohet nga një pjesë e delegatëve

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se Kuvendi Zgjedhor për kryetar të FFK-së do të mbahet të mërkurën nga ora 11:00 në selinë e saj. Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare, thuhet se për shkak të hapësirës numri i pjesëmarrësve do të jetë i kufizuar dhe se për këtë “është e pamundur të krijojmë hapësirë për media në përcjelljen e Kuvendit”.

Transmetimin e Kuvendit, sipas FFK-së, do ta bëjnë “Art Motion” dhe rrjetet sociale të Federatës. “Art Motion” e ka të drejtën e transmetimit të ndeshjeve në futbollin e Kosovës.

Kjo është hera e parë që ndodh kjo mënyrë e transmetimit, përkatësisht që gazetarëve u pamundësohet përcjellja nga afër e Kuvendit. Deri tash kuvendet zgjedhore janë mbajtur në praninë e të gjithë gazetarëve të interesuar.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka dënuar vendimin e FFK-së që Kuvendin Zgjedhor ta mbajë pa gazetarë të pranishëm dhe pa praninë e të gjitha mediave.

Përmes një reagimi, AGK-ja ka thënë se arsyetimi i FFK-së për mungesë të hapësirës është i paqëndrueshëm.

“Arsyetimi i hapësirës është i paqëndrueshëm, pasi që ngjarje të ngjashme janë mbuluar edhe në të kaluarën nga të gjitha mediat e interesuara. Një mbyllje e tillë pamundëson raportimin profesional nga vendi i ngjarjes, për një ngjarje të rëndësishme dhe me interes publik. AGK-ja kërkon nga FFK-ja të rishqyrtojë vendimin dhe t’i lejojë gazetarët dhe mediat të kryejnë punën e tyre të papenguar”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Kandidat i vetëm për kryetar të FFK-së do të jetë kryetari aktual, Agim Ademi. Ademi kishte shpalosur programin për 4 vjetët e ardhshëm në një sallë të madhe me gazetarë e me shumë të ftuar të tjerë.

“Pas përfundimit të Kuvendit, presidenti Ademi, njëherësh kandidati i vetëm në zgjedhjet e 6 prillit, do të jetë i qasshëm për prononcim dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve tuaja”, shkruan tutje në njoftimin e FFK-së. Pra, FFK-ja në një mënyrë e vlerëson punë të kryer rizgjedhjen e Ademit.

Procesi zgjedhor i FFK-së ka qenë i bujshëm dhe me plot zhvillime. FFK-ja nuk ka lejuar kandidimin e Gramoz Vokrrit për kryetar, me arsyetimin se ai nuk i ka plotësuar kushtet.

Disa prej kuvendarëve dhe ish-zyrtarëve të Federatës, Kuvendin që do të mbahet të mërkurën e kanë quajtur të jashtëligjshëm. Madje kanë ftuar organet shtetërore të mos e lejojnë mbajtjen e tij. Disa tashmë kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në Kuvendin Zgjedhor.

Është delegati i Prishtinës, Rrahman Haradini, që ka thënë se nga klubi ku ai është aksionari më i madh, nuk do të jenë të pranishëm për të votuar për kryetar të FFK-së. Prishtina mbështeti Gramoz Vokrrin për kryetar.

Edhe një opinion i MKRS-së, përkatësisht i Departamentit Ligjor, ka vlerësuar se FFK-ja ka shkelur Statutin dhe Ligjin për sport me thirrjen e Kuvendit Zgjedhor për 6 prill. KOHA ka kërkuar nga kabineti i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, një qëndrim nëse Kuvendi Zgjedhor do të jetë apo jo i pranueshëm. Por nuk ka marrë përgjigje.

“Prishtina nuk merr pjesë në Kuvendin zgjedhor. Asnjëri prej delegatëve të nënshkruar nuk do të marrë pjesë. Na kanë larguar, nuk na i kanë pranuar nënshkrimet e as ndërrimin e delegatëve. Ata në FFK po vendosin çfarë po donë dhe le të vendosin edhe kësaj radhe pa neve. Po thonë se Komisioni ka vendosur t’ia mohojë të drejtën e kandidimit Gramozit, por asnjëherë nuk kanë treguar se kush është në atë komision. Nuk kemi pse të marrim pjesë në një kuvend ku të tjerët vendosin për ne”, ka thënë Haradini të martën për KOHËN.

Delegatë të tjerë të pakënaqur me punën e deritashme të Agim Ademit kanë thënë se nuk kanë marrë ende vendim nëse do të jenë apo jo të pranishëm në Kuvendin Zgjedhor.