Sport

Të martën mund të merret vendimi për ndeshjen në Gjilan

 

Ka pasur zhvillime të reja të hënën lidhur me ndeshjen e ndërprerë mes Gjilanit dhe Ballkanit. Por jo edhe vendim të organeve të FFK-së lidhur me këtë ndeshje.

Ndeshja e zhvilluar të dielën në stadiumin e qytetit në Gjilan u ndërpre në minutat shtesë për shkak të sulmit të rëndë fizik ndaj portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri. Në momentin kur Gjilani barazoi rezultatin në 1:1, tifozë vendas kaluan nga tribuna në fushë për të festuar. Por dy huliganë sulmuan rëndë Frashërin. Njëri i erdhi nga prapa dhe e rrëzoi në tokë, ndërsa një tjetër e shkelmoi. Rasti ka bërë bujë, jo vetëm në Kosovë, ndërsa ndaj dy huliganëve që kryen sulmin është kërkuar paraburgim prej një muaji. Ata janë arrestuar të dielën mbrëma dhe fillimisht janë ndalur për 48 orë.