Sport

“E pamundur të zgjedhësh mes Kosovës e Zvicrës”

(Blick) - Për të pozuar për foto, Elvisi u përkujdes, që të shihej kryqi i bardhë i flamurit të Zvicrës, të cilin e mbante mbi shpatulla.

Pranë tij është bashkëshortja dhe tri vajzat, që po ashtu kishin ardhur në “Letzigrund” në ngjyrat e Zvicrës e Kosovës.

Vajza e vogël, Jona, mban një fanellë të Zvicrës, me numrin 10 të kapitenit Granit Xhaka.

“Ne vijmë nga Hergiswil në Kantonin Nidwalden, si skitari Marco Odermatt”, ka shpjeguar familja.

“Për ne kjo ndeshje ka rëndësi të dyfishtë. Për këtë arsye ne përkrahim dyja ekipet”, ka thënë vajza Jessica.

Si motrat e saj edhe ajo është lindur në një vend, që prindërit e saj i ka pranuar para 30 vjetëve.

“Si kosovar gëzohem më tepër që Granit Xhaka sonte luan ndeshjen e 100-të me Zvicrën. Është një simbol i mirë”, ka thënë kryefamiljari Elvisi.

Kishte mjaft simbolika të martën mbrëma në një stadium të mbushur me tifozë. Afro 20.800 tifozë kishin mbushur stadiumin “Letzigrund”.

Në tribuna dominonte ngjyra e kaltër. Atmosfera ishte e ngrohtë dhe miqësore. Familja nga Nidwaldneri nuk është e vetmja që kishte emocione të përziera.

Xherdan Shaqiri gjatë çdo ekzekutimi të kornerit duartrokitej, por me t’u bërë rrezik, ai fishkëllehej.

Kjo është pjesë e lojës: Xherdan Shaqiri është i rrezikshëm.

Ai u duartrokit gjatë zëvendësimit në minutën e 75-të.

Kur kosovarët realizuan golin e epërsisë në minutën e 52-të, stadiumi shpërtheu në festë. Festë pati edhe kur Zvicra barazoi rezultatin nëntë minuta më vonë.

“Në veturë shokët më pyesnin se për kë jam, dhe nuk mund të përgjigjesha”, shpjegon Nexhi, një elektricist nga Lausanne.

Të martën ai kishte marrë një ditë pushim për të shkuar në Zuerich. Ai pozoi me një shall me dy flamujt.

“Për asgjë në botë nuk kam dashur të humbi këtë ndeshje”, shpjegon Nexhi, që gjendet në Zvicër që kur ishte foshnjë. “Sonte festojmë miqësinë mes dy kombeve tona. Kosova me Xhakën dhe Shaqirin është po ashtu e përfaqësuar te Kombëtarja e Zvicrës”.

Në pushim mes pjesëlojëve Etemi po pozonte me një shall të Zvicrës, ndërsa vajza e tij Nora me një shall të Kosovës.

“Unë jetoj tash e 35 vjet në Zvicër, për këtë arsye vendimi ishte i lehtë. Në pjesën e parë pata ndjenjën që Kosova është më e angazhuar dhe më krenare. Për ne ndoshta kjo miqësore ka më tepër vlerë”, shpjegon Etemi.

Në renditjen e FIFA-s janë 95 vende dallim mes Kosovës (109) dhe Zvicrës (14).

Por, në fushë nuk vërehej kjo. Kjo ndeshje miqësore, që vërtetë ishte e përshtatshme për emrin që ka, nuk pati si të mbyllej ndryshe pos me një barazim. Ndeshja u mbyll 1:1.