“The Telegraph” - Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Anglisë, Gareth Southgate, u ka thënë futbollistëve të tij që tash e tutje të fokusohen më shumë në stërvitjen e penalltive, ndërsa ai synon të fitojë Kupën e Botës që mbahet në fund të këtij viti në Katar. Skuadra e Southgatet u mposht me penallti nga Italia në finalen e Kampionatit Evropian që u mbajt vitin e shkuar. Marcus Rashford, Jadon Sancho dhe Bukayo Saka dështuan nga pika e bardhë në humbjen e dhimbshme në stadiumin “Wembley” në Londër, e cila u përjetua rëndë. Southgate, i cili dështoi gjithashtu nga penalltia në humbjen e gjysmëfinales së “Euro 96” ndaj Gjermanisë, beson se çelësi i suksesit në penallti është aftësia e mësuar nga praktika e përsëritur. Trajneri i Anglisë bëri të qartë se detajet e vogla do të jenë vendimtare kur të fillojë Kupa e Botës në Katar në muajin nëntor.
“Ne kemi hyrë në detaje të ndryshme me lojtarët se ku mund të përmirësohemi për të qenë kampionë bote”, zbuloi Southgate. “Ne nuk patëm një shans për ta bërë këtë në mënyrë kaq të detajuar në vjeshtë, pasi duhej të ishim të fokusuar në kualifikimeve, kështu që ne menduam se tash është koha e duhur për ta nisur këtë. E penalltitë janë pjesë e rëndësishme e këtyre detajeve para nisjes së Botërorit”.
Southgate pranoi se Anglia ka pak lojtarë që janë të saktë nga penalltitë dhe është i bindur se me stërvitje të rregullta nga pika e bardhë, do të përmirësohen të gjithë. Madje, Southgate ka kërkuar nga futbollistët që të stërviten individualisht për gjuajtjen e penalltive, jo vetëm me klubet e tyre.
“Ajo që është e dukshme, për sa u përket gjuajtësve të rregullt të penalltive për klubin e tyre, ne me të vërtetë kemi vetëm Harry Kanen e James Ward-Prowsen që janë të saktë. Kur ne luajtëm me Italinë, pesë të parët e tyre kishin goditur më shumë se 40 penallti në ndeshjet zyrtare. Kane është në atë nivel dhe Rashford është tjetri me 20 penallti”, pranoi Southgate. “Kështu që, ne do të duhet ta shohim më ndryshe sesa thjesht të pranojmë se ata do të praktikojnë penalltitë në klubet e tyre. Unë i kam sfiduar ata që të stërviten edhe individualisht në këtë aspekt. Mendoj se kjo është gjëja e duhur për të bërë dhe kur të shkojmë në Botëror të jemi të përgatitur në secilin aspekt dhe për çdo situatë, sepse synimi është ta fitojmë këtë turne”.
Anglia ishte gjysmëfinale e Botërorit “Rusia 2018” dhe nënkampione e “Euro 2020”, por nuk ka fituar një trofe të madh që nga triumfi në Kupën e Botës të vitit 1966. Southgate thotë se ai dhe stafi i tij po analizojnë gjithçka që munden për ta ndjekur lavdinë në Katar. Anglezët të premten, kur do të tërhiqet shorti, do ta mësojnë grupin dhe kundërshtarët për Kampionatin Botëror.
“Ne kemi qenë vazhdimisht në top pesëshe në botë për tre ose katër vjetët e fundit”, tha Southgate. “Ne duam të shkojmë më tej, por nuk është lehtë sepse ka ekipe tjera të forta. Duhet të sigurohemi se jemi në pikën e duhur me gjithçka dhe me mendje të hapur ndaj çdo gjëje që mund të na bëjë më mirë. Në Katar do të udhëtojmë për sukses”.