Sport

Mosefikasiteti i Bayernit e kthen Dortmundin në garë për titull

 

Dobësia jokarakteristike e Bayern Muenchenit ka lejuar që të kthehen disa emocione në garën për titullin e kampionit në Bundesligë, me tetë ndeshje deri në fund të sezonit.

Klubi bavarez mbetet favorit për atë që do të ishte titulli i dhjetë rresht, një rekord në futbollin gjerman. Mirëpo lëshimi i pikëve në tri nga pesë ndeshjet e fundit kampionale nga Bayerni i ka dhënë mundësinë Borussia Dortmundit që të afrohet në vetëm katër pikë në tabelë. Bayerni është lider me 60 pikë, i ndjekur nga Dortmundi me 56 sosh pas 26 xhirove të luajtura. Dy rivalët takohen për derbin që njihet si “der Klassiker” në Muenchen në fund të muajit të ardhshëm. Bayerni ka mbrojtjen më të mirë në ligë me vetëm 28 gola të pësuar në 26 ndeshje. Por është një statistikë mashtruese dhe rëndësia e portierit të Gjermanisë, Manuel Neuer, i cili sapo është kthyer nga një operacion në gjurin e tij, nuk mund të mbivlerësohet. Bayern humbi në Bochum 4:2, barazoi 1:1 në Salzburg në Ligën e Kampionëve, përpara se të barazonte edhe me Bayer Leverkusenin (1:1), kur Neuer ishte jashtë fushës. Portieri Neuer ishte më i ngarkuar nga sa do të ishte zakonisht pasi Bayerni barazoi 1:1 në Hoffenheim në rikthimin e tij nga lëndimi në Bundesligë, të shtunën e kaluar. Hoffenheimi në këtë takim pati tetë raste të mira shënimi. Në anën tjetër Bayerni nuk ishte në gjendje t’i shfrytëzonte mundësitë e shumta që pati. Goli i 29-të i Robert Lewandowskit në ligë ishte i vetmi shans që e shfrytëzuan mysafirët.