Sport

Rrahje në FFK, Agim Ademi dyshohet se sulmoi punëtorin e Federatës

Descriptive Text

Në prag të zgjedhjeve të kontestuara në Federatën e Futbollit të Kosovës, gjatë ditës së mërkurë dyshohet se ka ndodhur një rrahje mes të parit të FFK-së, Agim Ademi dhe punëtorit të këtij institucioni, Artan Govori.

Rastin për KOHËN e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, duke treguar se Govori është ende duke u intervistuar.

“Rreth orës 14:00, kemi pranuar informatën për një rast sulmi, i cili ka ndodhë në zyrat e FFK-së. Lidhur me këtë rast aktualisht në stacion policor është duke u intervistuar pala ankuese. Për detaje njoftoheni me kohë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Por Ademi e ka mohuar se ka sulmuar Govorin. 

“Nuk merrna bre me kësi sene. S’ka ndodhur asgjë. Nuk kam kohë me u marrë me këso gjëra”, ka thënë Ademi për KOHËN.

Zgjedhjet për të parin e FFK-së, që do të mbahen më 6 prill, kanë nxitur mjaft debat në futbollin kosovar. Ademi synon mandatin e dytë në krye të FFK-së, ndërsa kundërkandidat i tij sot është konfirmuar i biri i legjendës Fadil Vokrri, Gramoz Vokrri. 

Rreth zgjedhjeve që do të mbahen muajin e ardhshëm, dyshohet se ka ndodhur edhe konfrontimi mes Ademit e Govorit.