Sport

FFK-ja thotë se delegatët dhe anëtarët e saj po shantazhohen

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ka reaguar të martën duke dënuar presionet dhe shantazhet ndaj delegatëve dhe anëtarëve të institucionit të futbollit.

Në njoftimin e lëshuar në sajtin zyrtar të FFK-së, thuhet se Komiteti Ekzekutiv tashmë ka pranuar shumë informata dhe ankesa nga anëtarët dhe delegatët, të cilët po insistojnë se po iu bëhet presion nga persona dhe struktura jashtë sportit të futbollit. E ky presion sipas KE të FFK-së, por bëhet me qëllim për të penguar mbarëvajtjen e rregullt të Kuvendit të FFK-së, të thirrur me datën 6 prill.

“Komiteti Ekzekutiv i FFK-së shpreh mbështetje për të gjithë anëtarët dhe delegatët e FFK-së, dhe ju kërkon që këto presione, shantazhe dhe forma të ndryshme të ndikimit t’i raportojnë të organet përkatëse në FFK-së dhe organet shtetërore të Republikës së Kosovës, si Policia dhe Prokuroria”, thuhet në letrën e publikuar.

“Komiteti si organ ekzekutiv i FFK-së do të mbrojë dinjitetin e delegatëve dhe anëtarëve të FFK-së, njëherit i siguron të gjithë anëtarët e saj dhe delegatët se do t’i adresojë të gjitha shqetësimet dhe presionet e bëra ndaj tyre tek organet përkatëse, dhe tashmë i kemi informuar organet kompetente të Kosovës, UEFA-n dhe FIFA-n. Komiteti Ekzekutiv i siguron të gjithë se do të kemi një proces të rregullt e fer deri në përfundim të kuvendit të radhës të datës 06 prill 2022”.

Javën e shkuar, KE i FFK-së, ka thirrur Kuvendin më 6 prill, i cili Kuvendi i thirrur javën e shkuar është kundërshtuar dhe është cilësuar i jashtëligjshëm. Kuvendi do të mbahet vetëm për kryetar, kurse për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv do të mbahet pas dy vjetësh.