Barcelona e prirë nga sulmuesi i ringjallur Pierre-Emerick Aubameyang dhe specialistja e Ligës së Evropës, Sevilla, do të kryesojnë sfidat e Spanjës në 1/8 e finales të këtij turneu, të enjten. Sevilla pret skuadrën angleze West Hamin në ndeshjen e parë, ndërsa Barcelona përballet me klubin turk Galatasarayn në stadiumin “Camp Nou”, në dy nga ndeshjet më interesante të këtij rundi.
Barcelona, që e ka fituar pesë herë Ligën e Kampionëve, është ende duke u përshtatur me mjedisin e panjohur të garës dytësore të kontinentit, pasi u rrëzua nga Championsi në fazën e grupeve për herë të parë në 18 vjet. Barça përballet me Galatasarayn në pjesën e dytë të ecurisë së tyre më të mirë të sezonit pas katër fitoreve radhazi, duke përfshirë një fitore mbresëlënëse 4:2 në udhëtim ndaj Napolit në rundin e kaluar. Zë vendin e tretë në La Liga dhe nuk ka humbur në kampionat që nga muaji dhjetor, falë përforcimeve të afatit kalimtar të janarit si Aubameyang, Ferran Torres e Adama Traore.
Aubameyang dhe Torres kanë shënuar shtatë gola së bashku në pesë ndeshjet e fundit të Barçës. Liga e Evropës është ende shpresa e vetme reale e Barcelonës për të fituar një trofe këtë sezon dhe ekipi nga La Liga konsiderohet favorit përballë Galatasarayt, që po kalon nëpër një krizë dhe ka vetëm dy fitore në 15 ndeshjet e fundit. Dueli mes Barçës e Galatasarayt zhvillohet prej orës 21:00.
“Po kalojmë një formë të mirë prejse i kemi marrë përforcimet, por nuk besoj se jemi favoritë për të triumfuar në Ligën e Kampionëve. Favorite është Sevilla, kurse ne vetëm kandidatë. Duam të kemi një paraqitje të mirë dhe të përpiqemi ta fitojmë ndeshjen. Do të sulmojmë prej fillimit”, ka paralajmëruar trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez. “Jemi të emocionuar por e kemi parasysh se kjo nuk është Liga e Kampionëve, por Liga e Evropës. Do të shkojmë hap pas hapi dhe do të shohim se deri ku mund të arrijmë”.
Sevilla, e cila ka fituar katër herë Ligën e Evropës në tetë sezonet e fundit, do të përballet me një skuadër si West Hami që po lufton për një trofe këtë edicion. Ky duel nis prej orës 18:45. Shanset e West Hamit për të përfunduar në top katërshen e Premier League janë duke u zbehur, me Arsenalin që tani është favorit i fortë për të siguruar vendin e fundit që dërgon në Champions, ndërsa në luftë janë edhe Tottenhami e Manchester Unitedi.
“Jemi të motivuar, por kemi një ndeshje të vështirë sepse luajmë me një ekip si West Hami që ka treguar paraqitje të mira këtë sezon në përgjithësi. Kemi mungesa, por besoj se do t’i kompensojmë dhe do të tregojmë një ndeshje të mirë. Është e rëndësishme të marrim një rezultat të mirë para ndeshjes së kthimit”, ka paralajmëruar trajneri i Sevillas, Julen Lopetegui.
Hija e pushtimit rus të Ukrainës do të jetë mbi ndeshjet e së enjtes për shkak të anulimit të duelit mes Spartak Moskës dhe Leipzigut, pasi UEFA dhe FIFA kanë pezulluar klubet ruse nga garat ndërkombëtare. Ndërkohë, të mërkurën Eintracht Frankfurti e ka mposhtur në ndeshjen e parë në udhëtim Real Betisin me rezultatin e ngushtë 2:1. E fitore në udhëtim ka shënuar edhe skuadra e Lyonit që triumfoi ndaj Portos (1:0).