Edon Zhegrova realizoi një tjetër ëndërr të martën mbrëma. Ai debutoi te Lille në Ligën e Kampionëve dhe atë në duelin kundër kampionit në fuqi të Evropës, Chesleat. Reprezentuesi i Kosovës hyri në lojë në vend të sulmuesit Jonathan David në minutën e 82-të. Lille pësoi disfatë nga Chelsea në “Stamford Bridge” me rezultatin 2:0 në ndeshjen e parë të 1/8 së finales së Championsit.
Debutimin në garën elitare evropiane, sulmuesi i krahut e cilësoi një hap para në karrierë, ndërsa premtoi se nuk do të ndalet derisa të arrijë majat e futbollit evropian. Ai është transferuar në afatin kalimtar të janarit te Lille nga Baseli.
“Ëndërr e çdo futbollisti është të luajë në Ligën e Kampionëve. Ka qenë edhe e imja, e cila u realizua të martën ndaj një skuadre të madhe evropiane. Jam jashtëzakonisht i lumtur. Sigurisht se edhe më i lumtur do të isha nëse rezultati do të ishte ndryshe, por personalisht e realizova një ëndërr të fëmijërisë”, ka thënë Zhegrova të mërkurën për KOHËN.
Me gjithë përpjekjet, Zhegrova nuk ia doli të lë gjurmë në “Stamford Bridge”. Por, ai është i lumtur që u paraqit në garën më të madhe evropiane në nivel klubesh.
“Jam shumë i lumtur, sepse debutova, fillimisht në Ligue 1 e po ashtu edhe në Ligën e Kampionëve kundër dy ekipeve më të mëdha në botë, siç janë Paris Saint-Germaini dhe Chelsea”, është shprehur Zhegrova.
Ai pret që në ndeshjen e kthimit ndaj Chelseat, që luhet më 16 mars në “Stade Pierre-Mauroy”, të ketë më shumë hapësirë. Ky duel luhet pas dy javësh.
“Shpresoj të paraqitem edhe në ndeshjen e kthimit dhe normalisht të arrijmë ta kthejmë rezultatin. Rezultatet e klubit janë mbi gjitha më të rëndësishme. Unë do ta jap më të mirën si në stërvitje, ashtu edhe në të gjitha ndeshjet që do ta kem rastin të luaj”, ka thënë Zhegrova.
Rruga deri te kampioni në fuqi i Francës, Lille, për Zhegrovën nisi në Kosovë. Ishte te Flamurtari dhe Prishtina përpara se të shkonte në Belgjikë me familjen e tij në moshën 15-vjeçare. Fitoi kampionatin e Belgjikës me skuadrën e Genkut në vitin 2019. Në janar të vitit 2019 kishte kaluar te skuadra e Baselit. Me Baselin e fitoi Kupën. Por, synimet e tij janë edhe më të mëdha.
“Jam duke punuar shumë. Jam shumë i kënaqur me klubin dhe hap pas hapi synoj të ngjiten në majat e futbollit evropian”, ka thënë Zhegrova.
Zhegrova u lind në Gjermani, ndërsa prindërit e tij disa vjet më vonë vendosën të kthehen të jetojnë në Kosovë. Vendosi ta përfaqësojë vendin prej nga e ka origjinën. Më 24 mars të vitit 2018 luajti për herë të parë për Kosovën. Deri tani i ka 24 paraqitje. E festoi golin e parë me Kosovën në ndeshjen miqësore kundër Madagaskarit. Shkëlqeu edhe në ndeshjen kundër Shqipërisë më 29 maj të vitit 2018. Kosova kishte fituar 3:0, ndërsa një prej golave e shënoi Edon Zhegrova.
Në stadiumin “Letzigrund” në Zuerich, Zhegrova pret të luajë sërish. Kosova më 29 mars luan në Zuerich kundër Zvicrës. Ndërsa, pesë ditë më herët në Prishtinë e pret Burkina Fason.