Sport

Manchester Unitedi thellon krizën e Leedsit

Manchester Unitedi është kthyer te fitorja në Premier League. “Djajtë e Kuq” kanë shënuar fitore të rëndësishme në udhëtim te Leedsi me rezultatin 4:2.

Me këtë fitore Unitedi mban hapin në garë për një pozitë që siguron kualifikimin në Ligën e Kampionëve.

Pjesa e parë u dominua nga mysafirët që shënuan dy gola. Harry Maguire në minutën e 34-t realizoi për 1:0.

Në minutat shtesë të pjesës së parë, Bruno Fernandes, dyfishoi epërsinë.

Në pjesën e dytë vendasit shënuan dy gola për dy minuta.

Në minutën e 53-t Rodrigo dhe Raphinha në të 54-tën barazuan shifrat në 2:2.

Por futbollistët e Unitedit nuk u dorëzuan duke rikthyer sërish epërsinë prej dy golave.

Fred në minutën e 70-të dhe Anthony Elanga në minutën e 89-të shënuan për rezultatin final, 4:2.

Unitedi pas 26 ndeshjeve është në pozitën e katërt me 46 pikë. Leedsi ka 23 pikë në vendin e 15-të.