2 perditesime
22:57

Dy asistime të Muriqit në fitoren e Mallorcas

Sulmuesi Vedat Muriqi ka luajtur edhe një ndeshje të madhe në La Liga. Ai ka regjistruar dy asistime për ta ndihmuar fitoren e Mallorcas ndaj Athletic Bilbaos. Të hënën mbrëma në kuadër të xhiros së 24-t të kampionatit spanjoll, Mallorca fitoi 3:2.

Salva Sevilla realizoi penallti për rezultatin 1:0 në të mirë të Mallorcas. Ai shënoi në minutën e 22-të. Sulmuesi kosovar, Muriqi, asistoi në minutën e 30-të për Angel Rodriguez që shënoi për 2:0. Muriqi pasoi me kokë. Bilbao shënoi dy gola të shpejtë në pjesën e dytë për të barazuar shifrat në 2:2. Në minutën e 59-të shënoi Raul Garcia, ndërsa vetëm dy minuta më vonë realizator ishte Alex Berenguer. Megjithatë vendasit nuk u ndalën.

Në minutën e 88-të, topi në zonë erdhi te Muriqi. Ai e shtyu para, por e la për japonezin Takefusa Kubo. Kubo goditi dhe topi përfundoi në rrjetë. Goli nga disa faqe të internetit i është evidentuar Kubos e disa portierit Unai Simon si autogol. Mallorca ia ka evidentuar golin japonezit. Për Muriqin ishte ndeshja e dytë në La Liga. Në të parën kishte shënuar gol. Muriqi pati një goditje të saktë të hënën mbrëma, por që u ndal nga portieri. Mallorca ka fituar pikë të rëndësishme në garën për ekzistencë. I ka 26 pikë nga 23 ndeshje. Bilbao është e teta me 34 pikë nga 24 ndeshje.

22:51

Sërish asiston Muriqi, Mallorca në epërsi

Vedat Muriqi ka regjistruar asistimin e dytë në ndeshjen e Mallorcas ndaj Athletic Bilbaos. Në minutën e 88-të, Muriqi pranoi top në zonë dhe e shtyu para.

Por e la për Takefusa Kubo që ishte në pozitë më të mirë. Japonezi Kubo goditi dhe shënoi për 3:2.

Muriqi ka asistuar edhe për golin e dytë të Mallorcas.

 

 

21:33

Vazhdon shkëlqimi i Muriqit, asiston te Mallorca

Vedat Muriqi po vazhdon me paraqitje impresive në La Ligan. Ai ka startuar te Mallorca që po udhëheq 2:0 ndaj Athletic Bilbaos.

Sulmuesi kosovar asistoi në golin e dytë të cilin e shënoi Angel Rodriguez në minutën e 30-të. Në debutim në La Liga, Muriqi shënoi gol. Tani ka asistuar.

Ai fitoi duel në ajër dhe pasoi me kokë për Rodriguezin.