Sport

41-vjeçari Clarey bëhet më i vjetri që fiton medalje olimpike në skijimin alpin

Francezi Johan Clarey është futur sërish në librat e historisë të skijimit alpin. Me 41 vjet e 40 ditë, Clarey është bërë skitari më i vjetër që ka fituar medalje olimpike në skijimin alpin.

Ai e fitoi medaljen e argjendtë në garat e lëshimit në Lojërat Olimpike të Pekinit, të hënën.

“Nuk ka rëndësi se kur e fiton medaljen olimpike, me 20 apo 41 vjet pasi kjo është ndjenja më e mirë. Rekordi si skitari më i moshuar me medalje olimpike nuk më intereson pasi jam i lumtur me këtë sukses”, tha Clarey.

Skitari francez ka thyer rekordin e amerikanit Bode Miller që ishte më i vjetri që ka fituar medalje olimpike në skijimin alpin. Miller me 36 vjet e 127 ditë e pati fituar të bronztën në Super-G në LOD “Sochi 2014”.