Sport

Senegali kërkon finalen në Kupën e Afrikës pas startit jo të mirë

Pas një fillimi të ngadaltë në Kupën e Afrikës, Senegali i Sadio Manes më në fund ka filluar të justifikojë rolin e favoritit që e kishte para turneut.

Për ta konfirmuar edhe më shumë këtë Senegalit i duhet ta mposhtë në gjysmëfinale Burkina Fason, të mërkurën, prej orës 20:00. Rivalët afrikano-perëndimorë takohen në Yaounde, me ekipin e përzgjedhësit Aliou Cisse, Senegalin, që është në kërkim të finales së dytë rresht në Kupën e Afrikës.

Mbi Senegalin rëndon presioni i të qenit ekipi më i ranguar në Afrikë, me gjithë që asnjëherë nuk ka qenë kampion kontinental.

Në gjysmëfinalen tjetër, që luhet të enjten, takohen Egjipti dhe Kameruni, ekipet më të suksesshme në historinë e turneut me 12 tituj të fituar në total.

Senegali ndaj Burkina Fasos futet pas fitores 3:1 në çerekfinale kundër Guinesë Ekuatoriale, ndeshje në të cilën u dëshmua gjerësia që posedon ekipi i përzgjedhësit Cisse. Pas përfundimit të pjesës së parë me rezultatin 1:1, Cisse inkuadroi nga banka e rezervistëve dy lojtarë të Premier Leagues, Cheikhou Kouyaten (Crystal Palace) e Ismaila Sarr (Watford), që shënuan golat e fitores.

Për sulmuesin e krahut, Sarr, ishte paraqitja e parë në Kupën e Afrikës. Senegali e mori në Kamerun pavarësisht se ai nuk kishte luajtur për Watfordin që nga nëntori për shkak të lëndimit.

“Kam insistuar që ai duhet të jetë në skuadër dhe na u desh të luftonim me Watfordin për dy muaj për ta marrë atë”, tha Cisse. “Ai ka punuar shumë për të qenë në formë dhe për t'u rikthyer, por nuk jam i sigurt nëse është gati të aktivizohet prej fillimit akoma”.

Senegali nuk e nisi mirë kampanjën, ndonëse e përfundoi fazën e grupeve në krye të grupit B me vetëm një gol të shënuar. Sadio Mane realizoi nga penalltia në fitoren e vetme ndaj Zimbabvesë. Ekipi u prek edhe nga rastet me koronavirus, ku portieri i Chelseat, Edouard Mendy, dhe qendërmbrojtësi i Napolit, Kalidou Koulibaly, nuk luajtën në dy ndeshjet e para për shkak se rezultuan pozitivë.

Mesfushori Nampalys Mendy – që ka vetëm një paraqitje këtë edicion te Leicesteri – është një tjetër lojtar që nuk luajti në dy ndeshjet e para te Senegali, por u zgjodh lojtari i ndeshjes në triumfin ndaj Guinesë Ekuatoriale. Nuk është e pazakontë për skuadrat që startojnë ngadalë në turnetë e futbollit që në fund të shpallen kampione.

Franca nuk bindi në fazën e grupeve përpara triumfit në Botërorin “Rusia 2018”, ndërsa Portugalia që doli kampione në “Euro 2016” kishte tri barazime në fazën grupore.

Senegali u përmirësua dukshëm pas fazës së grupeve ku në 1/8 e finales eliminoi Kepin e Gjelbër (2:1) përpara se ta eliminonte edhe Guinenë Ekuatoriale.

“Ne e kemi parasysh se jemi bërë më të mirë dhe më të fortë pas fazës së grupeve”, tha Koulibaly. “Mendoj se në fazën e grupeve nuk bindëm, por tani po shihemi si ekip që mund ta fitojë këtë turne. Ne jemi Senegali dhe mund ta mposhtim çdo kundërshtar”.