Sport

Kategorizimi kontrovers i sportit

Xhudoja kosovare vazhdon të jetë “botë tjetër” në krahasim me sportet e tjera në vend, kur bëhet fjalë për sukseset në skenën ndërkombëtare. Për shkak të sukseseve, Federata e Xhudos e Kosovës është bindshëm e para në Kategorinë A të federatave sportive në vend.

Kategorizimi i sporteve për vitin 2022 është publikuar të premten nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe xhudoja ishte në krye të listës me 83.35 pikë.

Xhudoja vjet solli dy medalje të arta olimpike, medalje botërore e evropiane. Por numri i pikëve të kategorizimit nuk i është rritur. Përkundrazi, numri i pikëve të xhudos është zvogëluar. Vjet e parvjet xhudoja i kishte 86.40 pikë, ndërsa për vitin 2022 nga komisioni i KOK-ut është vlerësuar me 83.35 pikë.

Kjo është e papranueshme për trajnerin e Kosovës në xhudo, Driton Kuka. Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës ka rekomanduar që xhudoja të vlerësohet me pikë maksimale, 100. Por kjo nuk e kënaq Kukën. Ai dëshiron vlerësim të drejtë të pikëve. Vlerësimin e drejtë e dëshiron për të gjitha federatat. Dhe i ka rezervat e tij për procesin e kategorizimit të sporteve, që nga KOK-u është vlerësuar i vështirë.

Ulja e pikëve të xhudos nuk është gjëja e vetme që është vlerësuar kundërthënëse pas publikimit të kategorizimit të federatave sportive. Jo të gjithë e vlerësojnë të drejtë ngritjen e Federatës së Volejbollit në vendin e dytë, e po ashtu vendin e tretë të karatesë, që tashmë nuk është sport olimpik. Federata e Hendbollit e Basketbollit janë në pozitat katër e pesë, ndërsa Federata e Futbollit e Kosovës është vetëm në vendin e gjashtë. Pra pas xhudos, volejbollit, karatesë, hendbollit e basketbollit. Futbolli është bindshëm sporti më masiv në vend. Dhe rritja e futbollit në vitet e fundit vlerësohet e madhe. Por jo në kategorizim.

Futbolli nga pozita e dytë ka rënë në të gjashtën. Volejbolli nga pozita e pestë është ngritur në të dytën.

Kategorizimi ka vlerë të madhe, pasi në bazë të tij ndahet buxheti i shtetit për federatat sportive. Sa më lart në renditje, të hyrat janë më të mëdha.

“Me pikët e grumbulluara sivjet, xhudoja ka më pak pikë se vitin e kaluar. Por, edhe keni të drejtë, pasi dy medaljet e arta olimpike nuk mjaftojnë që të rritet numri i pikëve. Kritere të stërvjetruara të kategorizimit e xhudos keni pasur të drejtë t’ia ulni pikët”, ka shkruar Kuka në një postim që duket të jetë për komisionin e KOK-ut që ka bërë kategorizimin.

Kategorizimi bëhet në bazë të dokumentacionit që dorëzojnë federatat sportive. Dhe favorizimet nuk përjashtohen. Drejtuesit aktualë të KOK-ut janë më të afërt me disa federata. Për shembull, i pari i KOK-ut, Ismet Krasniqi, është edhe kryetar i Federatës së Karatesë së Kosovës. Karateja ka mbetur në kategorinë A dhe madje e renditur lart, ndonëse është larguar nga programi olimpik.

Në federatat e tjera kanë zgjedhur të mos deklarohen zyrtarisht për kategorizimin, me gjithë pakënaqësitë që kanë. Por, jozyrtarisht kanë pranuar se kanë vërejtje të shumta.

KOK-u përmes një reagimi, i ka dalë në mbrojtje “punës korrekte” të bërë nga komisioni që e ka formuar vetë.

“KOK-u konsideron se i gjithë vlerësimi i komisionit, si në rastin e futbollit ashtu edhe të të gjitha federatave të tjera, është bazuar në rregulloren 04/2018 për Kategorizimin e Sporteve. Federatës së Futbollit të Kosovës i janë vlerësuar të gjitha pikët në të cilat ka pasur dëshmi, ndërsa nuk i janë vlerësuar dy pikë te ‘Kriteret e ngritjes së kapaciteteve’, me ç’rast nuk ka sjellë dëshmi të posedimit të Planit Strategjik. KOK-u informon të gjitha palët e pakënaqura me vlerësimin se ankesat mund t’i dërgojnë në afat prej tetë ditësh pas dërgimit të raportit në detaje, ankesa këto që do të shqyrtohen nga komisioni i ankesave”, thuhet në një postim të KOK-ut.

Ndërkohë, disa federata, të afërta me ish-presidentin e KOK-ut, Besim Hasani, kanë mbetur pa u kategorizuar.

Rregullorja për kategorizimin e sporteve parasheh disa kritere si: organizimi i garave ndërkombëtare në Kosovë, rezultatet e arritura në garat ndërkombëtare, masiviteti, statusi i sportit, gjithëpërfshirja, popullariteti, tradita e disa kritere të tjera. Por, në fund është vlerësimi i komisionit që mund të bëjë dallimin.

“Aktivitete kemi më së shumti prej të gjitha federatave. Madje ne vlerësojmë se i plotësojmë kriteret për të pasur edhe më shumë pikë. Pjesë e federatës sonë janë dy sporte të ndryshme, volejbolli dhe volejbolli në rërë. Për femra jemi sporti numër një. I kemi 29 klube të vajzave në nivelin senior. Nuk e kemi marrë ende raportin zyrtar se çka na është llogaritur e çka jo, por mendojmë se është dashur të kemi edhe më shumë pikë”, ka thënë Valon Nikqi, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Volejbollit të Kosovës. Ai ka lënë të kuptohet se FVK-ja e vlerëson të drejtë pozitën e dytë.

FVK-ja ka mbledhur 79.56 pikë, ndërsa Federata e Karatesë i ka 78.501 pikë. Pason FHK-ja me 78.093 pikë, FBK-ja me 78.05 pikë dhe FFK-ja me 76.61 pikë.

Në kategorinë B prin Federata e Boksit me 65.16 pikë. Pasojnë mundja, sporti shkollor, atletika, skitaria, pingpongu, noti, gjimnastika, tenisi. Janë edhe kategoria C dhe kategoria D e federatave sportive.

Pa kategorizim kanë mbetur Federata e Peshëngritjes e Kosovës, Federata e Kërlingut e Kosovës dhe Federata e Skermës e Kosovës, me arsyetimin se nuk kanë aktivitet.

“Federata e Karatesë e Kosovës jo e treta. Ditëve në vazhdim duhet të ndërrojë kjo renditje”, ka shkruar Nazmi Gashi, sekretar i Federatës së Karatesë së Kosovës. Ai ka lënë të kuptohet se karateja synon edhe më lart.

Tani MKRS-ja cakton vlerën e pikës dhe në bazë të saj përcaktohet përkrahja për federatat sportive. Vjet vlera e pikës ishte ulur për afro 40 për qind. Ndërsa në ndarjen e buxhetit nuk ishte marrë për bazë vetëm kategorizimi.

Mbetet të shihet nëse MKRS-ja do të marrë për bazë vërejtjet e trajnerit të xhudos Kuka dhe federatave që ankesat që i kanë, nuk i kanë bërë publike.

Image