Golden Eagle Ylli ka bërë rikthim të madh në rezultat për ta fituar ndeshjen ndaj Pejës. Të enjten mbrëma në “Karagaçi”, Ylli i Suharekës fitoi ndaj Pejës vendase me shifrat 90:87.
Ndeshja i ka takuar xhiros së nëntë të Ligës Unike në basketboll. Peja e fitoi periudhën e parë me rezultat 22:20, ndërsa pas 20 minutave lojë rezultati ishte 49:38 për pejanët. Lojë e njëjtë vazhdoi edhe në çerekun e tretë, ndërsa pas 30 minutave lojë shifrat ishin 71:58 për Pejën.
Çereku i katërt solli kthimin e madh të suharekasve. 2.34 minuta para fundit, Henrik Shirko shënoi për 81:80 në të mirë të Yllit. Në fund Peja kishte dy aksione për të barazuar rezultatin. Por Tjader Fernandez e Dardan Berisha dështuan në gjuajtjet për tri pikë.
Stephen Maxwell ishte më i miri te Peja me 32 pikë e gjashtë kërcime.
Te Ylli u dallua kroati Shirko me 24 pikë e 11 kërcime.
Ylli udhëheq me 17 pikë. Peja i ka 15 pikë.