Sport

Franca me rikthim të madh, kalon në gjysmëfinale

Descriptive Text

Franca ka bërë rikthim të madh në rezultat për të kaluar në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian të hendbollit. Franca të mërkurën mbrëma e mposhti Danimarkën me rezultatin 30:29.

Danezët ishin në epërsi thuajse gjatë tërë takimit, por në minutat e fundit Franca u kthye dhe arriti te fitorja vendimtare. Franca e fiton Grupin I të raundit kryesor.

I ka 8 pikë, sa edhe Danimarka në pozitën e dytë. Fitorja e Francës ka lënë jashtë gjysmëfinales Islandën, që është e treta me 6 pikë. Islanda do të luaj për vend të pestë. Dika Mem udhëhoqi Francën me 8 gola, sa i kishte edhe Hugo Descat.

Te Danimarka u dalluan Niclas Vest Kirkelokke me 10 gola dhe Jacob Tandrup Holm me 9 gola. Danimarka më herët kishte siguruar gjysmëfinalen, por humbja i kushtoi me vendin e parë në grup.

Më herët të mërkurën, Islanda fitoi ndaj Malit të Zi me shifrat 34:24, ndërsa Holanda e Kroacia luajtën baras, 28:28. Kroacia e Holanda përfunduan me nga tri pikë, ndërsa Mali i Zi me dy. Gjysmëfinalet janë më 28 janar. Franca e Suedia takohen prej orës 18:00, ndërsa Spanja e Danimarka prej orës 20:00.