Klubi anglez i divizionit të tretë, Sunderlandi, po synon ta largojë në huazim mbrojtësin kosovar Arbenit Xhemajli.
23-vjeçari mungoi për më shumë se një vit shkaku i lëndimit të rëndë në gju, por është rikthyer në aksion muajve të fundit.
Qendërmbrojtësi ka pasur një paraqitje për ekipin e parë këtë sezon, por më shumë minuta ka zhvilluar për ekipin nën 23 vjeç.
Xhemajli ka luajtur dy ndeshje rresht ndaj Middlesbroughit dhe Wolvesit në Divizionin 2 të Premier League 2, në dy javët e fundit.
I pyetur për të komentuar situatën e Xhemajlit pas humbjes 2:1 nga Wolvesi, trajneri i ekipit U23, Mike Dodds, ka lavdëruar mbrojtësin për sjelljen e tij prej sportisti.
“Është e mrekullueshme për ne trajnerët sepse ai është model shembull se si duhet të jenë standardet për përgatitje, e se si ai flet me bashkëlojtarët në mes të pjesëve për gabime, dhe për ndryshimet në lojë. Është kënaqësi të punosh me të, por të jem i sinqertë, ai nuk pëlqen të luajë futboll në këtë grupmoshë. Jam i sigurt se do të ketë ekipe që ju përshtatet dhe që po shikojnë për të, e kjo do të jetë më e mira për të, nëse jam i sinqertë. Një huazim do të ishte opsioni më logjik për të gjitha palët”, ka thënë ai.
Sunderlandi ka thënë se dëshiron që lojtarët e ri t’i huazojë për të fituar përvojë me ndeshjet në ekipin e parë.