Suedia ka bërë rikthim të madh për të shokuar Norvegjinë dhe për të zënë vend në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian të hendbollit.
Suedia të martën mbrëma në Bratislavë fitoi me rezultatin 24:23 ndaj Norvegjisë. Valter Chrintz shënoi penallti vendimtare për Suedinë 15 sekonda para fundit. Ai realizoi për 24:23. Në aksionin e fundit, Sander Sagosen i Norvegjisë gjuajti jashtë portës.
Pritje vendimtare në fund të takimit bëri Peter Johansson i Suedisë.
Chrintz ishte më efikasi te Suedia me gjashtë gola, sa i kishte Harald Reinkind i Norvegjisë.
Dukej se Norvegjia po shkonte drejt fitores bindëse. Pas 30 minutave lojë, norvegjezët kishin epërsi prej 14:9. Por suedezët nuk u ndalën dhe në fund arritën te fitorja.
Më herët të martën, Spanja fitoi 28:27 ndaj Polonisë, ndërsa Gjermania e mposhti Rusinë me 30:29. Ndeshjet e së martës ishin të fundit në Grupin II të raundit kryesor. Spanja e Suedia avancojnë në gjysmëfinale me nga tetë pikë. Norvegjia do të luaj për vendin e pestë, pasi renditet e treta me gjashtë pikë. Gjermania, Rusia e Polonia eliminohen.
Ndeshjet gjysmëfinale luhen më 28 janar.
Në Grupin I, ndeshjet e fundit janë: Mali i Zi – Islanda, Holanda – Kroacia, Danimarka – Franca. Këto ndeshje janë të mërkurën. Danimarka tashmë është në gjysmëfinale, pasi udhëheq në grup me tetë pikë. Franca i ka gjashtë pikë, ndërsa Islanda katër. Kroacia, Mali i Zi e Holanda i kanë nga dy pikë dhe janë pa gjasa.