Sport

Vazhdon “mallkimi” i kampionëve në fuqi të Kupës Afrikane

Descriptive Text

Derisa Kupa e Afrikës vazhdon me fazën eliminatore, kampionia në fuqi po shkon në shtëpi herët, për të vazhduar rrugën e hapur në edicionet e fundit të turneut të madh të futbollit. Algjeria u eliminua në mënyrë të pazakonshme të enjten. Riyad Mahrez humbi penallti në humbjen 3:1 kundër Bregut të Fildishtë në Douala. Algjeria mbeti e fundit në grup me vetëm një pikë pas tri ndeshjeve të luajtura.

Skuadra e përzgjedhësit Djamel Belmadi mbërriti në Kamerun me një seri prej 34 ndeshjesh pa humbje dhe natyrisht ishte një nga favoritet për të fituar titullin. Algjeria largohet nga Kupa e Afrikës me kokë ulur.

Në fakt së fundi ka qenë jashtëzakonisht e vështirë për përfaqësueset që të ruajnë titujt e mëdhenj ndërkombëtarë. Asnjë skuadër nuk e ka mbrojtur me sukses Kupën e Botës që nga Brazili në vitin 1962, ndërsa Spanja në vitin 2012 është ekipi i vetëm që ka ruajtur titullin e Kampionatit Evropian. Në Afrikë, Kupa e Kombeve mbahet më shpesh dhe tani i ka 24 ekipe, pas zgjerimit për edicionin 2019. Por kampionët në fuqi e kanë zakon të ndalen rrugës për në finale. Qëkur Egjipti fitoi AFCON-in e tretë radhazi në vitin 2010, vetëm një herë mbajtësit e titullit kanë kaluar në fazën eliminatore të edicionit vijues. Kameruni e bëri këtë në vitin 2019, kur u eliminua në 1/8 e finales. Egjipti nuk u kualifikua në turne në vitin 2012, njëjtë si Nigeria në vitin 2015, pasi fitoi edicionin e mëparshëm.

Përzgjedhësi i Bregut të Fildishtë, Patrice Beaumelle, ishte ndihmësi i Herve Renardit, kur Zambia e fitoi titullin në vitin 2012 dhe ai beson se kjo u ka treguar përfaqësueseve në të gjithë Afrikën se ky turne është tejet i paparashikueshëm.

“Është gjithmonë e vështirë të mbrosh me sukses titullin në Kupën e Afrikës sepse është një trofe i lakmuar. Kur e fituam atë me Zambinë në vitin 2012 kjo frymëzoi shumë ekipe”, tha Beaumelle. “Zambia ishte një ekip i mrekullueshëm, por nuk mund të thuash se do të ishte pretenduese për të fituar çdo herë. Të gjithë duan të shkojnë larg dhe ne nuk e dimë se kush do ta fitojë atë”.

Që nga zgjerimi fillestar i turneut në 16 ekipe një çerek shekulli më parë, sa herë që AFCON është mbajtur në Afrikën e Veriut është fituar nga një ekip afrikano-verior. Megjithatë, ekipet e Afrikës Veriore shpesh kanë luftuar diku tjetër në kontinent, me përjashtim të dukshëm të egjiptianëve që fituan veçanërisht në Ganë në vitin 2008 dhe Angolë në vitin 2010.

Belmadi përmendi rregullisht kushtet sfiduese si arsye për betejat e humbura të ekipit të tij gjatë ndeshjeve në kryeqytetin ekonomik të Kamerunit, Douala, ku temperaturat janë të larta dhe lagështia është ekstreme. Pas një fillimi zhgënjyes pasi tifozët qëndruan larg për shkak të rregullave të koronavirusit në Kamerunin e çmendur pas futbollit, turmat janë shtuar ndjeshëm së fundi. 30 mijë shikues ishin në Douala për të parë Algjerinë që u eliminua pas humbjes nga Bregu i Fildishtë.

Faza e eliminimit nis të dielën me Nigerinë - e vetmja skuadër që fitoi të tri ndeshjet në grup – që luan me Tunizinë në një nga ndeshjet e 1/8 së finales.

Kameruni, Maroku, Bregu i Fildishtë, Egjipti i Mohamed Salahut dhe Senegali i Sadio Manes kanë kaluar gjithashtu, por formati i zgjeruar ka lejuar edhe dy përfaqësuese të vogla të lënë shenjën e tyre. Në pjesëmarrjen e parë në Kupën e Afrikës, vendi i vogël ishullor i Oqeanit Indian, Komorosi, mundi Ganën dhe u kualifikua në 1/8 e finales si skuadra më e mirë e vendit të tretë.

E renditur në vendin e 132-të në botë dhe me shumicën e lojtarëve që vijnë nga komuniteti në Francë, Komorosi luan me nikoqirin.

Gambia është përfaqësuesja me renditjen më të ulët në fazën e nokautit, duke u renditur e 150-ta në botë. Por arriti të kualifikohet nga grupi me shtatë pikë të mbledhura në tri ndeshje.

“Kur mbërrita në korrik 2018, Gambia nuk kishte fituar një ndeshje zyrtare për pesë vjet”, tha trajneri i Gambisë, belgu Tom Saintfiet. “Nuk kishte asnjë shpresë, skuadra ishte e 172-ta në botë. Thashë se isha këtu për të kualifikuar Gambinë në Kupën e Afrikës dhe të gjithë menduan se isha i çmendur”.

Tani Gambia përballet me rivalen afrikano-perëndimore, Guinenë, dhe mesfushorin e Liverpoolit, Naby Keitan, për një vend në çerekfinale të Kupës së Afrikës.