Aktivitetet sportive do të vazhdojnë në Kosovë, me gjithë rritjen e rasteve me koronavirus. Por shikuesit nuk do të lejohen në palestra dhe stadiume.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të premten ka miratuar masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19. Masat kanë të bëjnë edhe me sportin.
“Lejohet organizimi i garave sportive dhe stërvitjeve përkitazi me protokollet dhe rekomandimet e organizatave botërore për organizimin e ngjarjeve sportive dhe me masat mbrojtëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Numri i pjesëmarrësve në garë (sportistë, klube, zyrtarë dhe pjesëmarrës tjerë të nevojshëm për zhvillimin e garës) përcaktohet nga federatat sportive duke respektuar masën e distancës dhe masat e tjera mbrojtëse. Në aktivitetet garuese në hapësira të mbyllura dhe të hapura nuk lejohet prania e shikuesve”, thuhet në vendimin e Qeverisë.
Ndërkohë do të mbyllen sallat e fitnesit.
“Mbyllen fitneset, palestrat dhe institucionet e tjera për shfrytëzim të publikut për aktivitete sportive dhe rekreative, me përjashtim të klubeve profesionale sportive”.
Së fundi ka pasur numër të madh shikuesish sidomos në ndeshje të basketbollit. Në pak prej ndeshjeve janë respektuar masat, ndonëse kjo është kërkuar. Zyrtarisht numri i shikuesve ishte i limituar, por në pak raste janë respektuar masat. Shikues të konsiderueshëm ka pasur edhe në ndeshje të futbollit, në stinorin vjeshtor e edhe në ndeshje të Kosovës në hendboll gjatë këtij muaji.